Rreth 330 gra të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga gati 1000 sa kishin aplikuar, u është njohur statusi i personit të dhunuar gjatë luftës. Të gjitha ato gra, të cilave u është njohur ky status, do të marrin një pension në vlerë prej 230 eurove, shkruan sot gazeta “Zëri”
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Vasfije Krasniqi-Goodman javën e kaluar ka raportuar para Kongresit Amerikan për përjetimet e saj gjatë kohës së luftës. Krasniqi-Goodman ka rrëfyer se si ishte dhunuar nga paramilitarët serbë e se si dhunuesit e saj edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të lirë.
Si rasti i saj vlerësohet të jenë edhe 20 mijë raste të tjera në Kosovë. Për t’i mbështetur financiarisht të dhunuarat e luftës së fundit Qeveria e Kosovës kishte formuar Komisionin për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, por që edhe sot e kësaj dite ky komision nuk ka arritur t’i shqyrtojë të gjitha rastet, të cilat kanë aplikuar.
Gjatë muajit mars të këtij viti kryetarja e këtij Komisioni, Minire Begaj, kishte raportuar se gjithsej 968 persona kishin aplikuar për njohje të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, prej të cilëve 301 ishin miratuar, 17 ishin refuzuar, ndërsa 94 raste ishin në shqyrtim.