“Vetëvendosje!” dhe LDK, a e keni përnjëmend?

Ky pozicionim më tepër i ngjan një taktizimi partiak sesa përpjekje e sinqertë për bashkëpunim dhe dërgim të PDK-së në opozitë. Në qoftë se LVV-ja dhe LDK-ja nuk e ndërrojnë këtë mënyrë të komunikimit, vështirë të ndodhë ndonjë bashkëpunim. Shumë më realistë do të mbesin skenarët kur Haradinaj do të bëhet kryeministër nga PAN-i ose, se do të kemi sërish zgjedhje nacionale.

NË NJË INTERPRETIM alternativ të ngjarjeve të lidhura me zgjedhjet e 11 qershorit mund të vlejë edhe një analizë si kjo:

Lidhja Demokratike e Kosovës, tërthorazi, i ka ndihmuar Lëvizjes “Vetëvendosje!” më shumë se vetvetes.

Nëse nuk do të vendoste Isa Mustafa që të bënte koalicion me AKR-në dhe Alternativën, atëherë nuk do të ndodhte edhe koalicioni tjetër i PDK-së, AAK dhe NISMA-s. Vetë përfaqësuesit e subjekteve të PAN-it, përfshirë edhe Haradinajn dhe Limajn, e kanë pranuar publikisht se nuk do të bashkoheshin me PDK-në, nëse paraprakisht nuk do të ndodhte bashkimi tjetër. Pra, edhe sipas tyre, frika që LAA-ja do të dilte si e para në zgjedhje, ka shtyrë Veselin ta sakrifikojë postin e kryeministrit si mandat për vete dhe këtë pa garë t’ia dorëzojë Haradinajt – bashkim i orëve të fundit ky që nxiti jo pak pakënaqësi në kampet e të tria këtyre partive.

Dhe me këtë gjest, Lëvizja “Vetëvendosje!” u la e vetme në ofertën politike si opozitë. Votuesi tipik opozitar jomilitant e ka pasur vetëm një mundësi – ta votojë “Vetëvendosjen!”. AAK-ja dhe NISMA, gjithë mobilizimin e kampit opozitar të përbashkët edhe me LVV-në, e luajtën si në kazino, duke i bërë një dhuratë të papritur partisë së Albin Kurtit.

Tash, natyrisht, LVV-ja është fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Do të ishte çmenduri të kalkulohet se LVV-ja është rritur gati dyfish vetëm për shkakun se mbeti opozita e vetme në ofertë, se një rritje e ndjeshme është pritur gjithsesi; mirëpo një pjesë të votës opozitare, e cila në rrethana të tjera do t’i shkonte AAK-së dhe NISMA-s – e ka përfituar brenda natës.

Ndoshta, mjaftueshëm sa për ta kaluar LDK-në. Sikur të zhvillohej një anketë profesionale dhe e paanshme në Kosovë sot, do të mundë të llogaritej saktë se sa votues opozitarë të AAK-së dhe NISMA-s kanë votuar për LVV-në, pasi që u krijua koalicioni PAN.

NJË LEKSION që do të mundë të nxirrej nga ky zhvillim i ngjarjeve është se LDK-ja (LAA) e vërtetë që për herë të parë doli si subjekti i tretë pas zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë luajti rolin vendimtar që LAN-i të mos fitonte mjaftueshëm vota sa për ta bërë pa telashe vetë qeverinë, si dhe që LVV-ja të arrinte kaq shumë.

Këtë duhet ta kenë parasysh edhe në PAN, por veçanërisht në “Vetëvendosje!”.

Të mos harrohet, LVV-ja bashkë me PDK-në, AAK-në, NISMA-n, Listën Serbe dhe të gjitha komunitetet e tjera pakicë, u bënë bashkë dhe votuan për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja. Mirëpo, ja që LDK-ja, e cila në disa sondazhe dilte edhe në 15-16 për qind të votave, u hap për një brez të ri profesionistësh dhe arriti të bënte koalicione parazgjedhore, për të ruajtur numrin e votuesve nga zgjedhjet e kaluara. Gjë të cilën as përafërsisht nuk ia dolën ta bëjnë partitë e PAN-it, krahasuar me rezultatet e tyre të kaluara.

Kjo i bie që numri i shumicës së thjesht parlamentare prej 61 deputetësh, sa llogaritet se do t’i kenë bashkë LVV dhe LAA, është arritje e të dy listave së bashku. Së këndejmi, të dyja do të duhej të ishin më të sinqerta me njëra-tjetrën, nëse duan t’u mbesin besnike premtimeve se nuk do të bëjnë koalicion me PAN-in, ose së paku me PDK-në.

TË SINQERTA sidoqoftë, nuk po duken shumë deklarimet e liderëve të “Vetëvendosjes!” dhe të LDK-së për një koalicion të mundshëm paszgjedhor.

Kurti dhe Ymeri shkruajnë letra të hapura duke e thirrur LDK-në që të bëjnë koalicion bashkë në mënyrë që, siç thonë ata, “ta çojnë në opozitë klanin “Pronto”, por me kusht që Kurti të jetë kryeministër, për shkak të numrit më të madh të votave që i ka. Në të njëjtën kohë, LVV-ja pas zgjedhjeve të kaluara ua ka kontestuar të drejtën Thaçit dhe Mustafës për të udhëhequr me Qeverinë, pavarësisht se e kanë pasur numrin më të madh të votave.

Në anën tjetër, duket se Mustafa nuk i ka harruar ende koktejet e molotovit dhe protestat e LVV-së pranë shtëpisë së tij familjare, as gazin lotsjellës e sprejin. Ai u shpreh i qartë se LDK-ja do të mundë të bashkëqeveriste me LVV-në, ose edhe me AAK-në e NISMA-n (pa PDK-në), vetëm nëse do të udhëhiqte me Qeverinë dhe nëse do të kishte dakordim për program qeveritar. Në të kundërtën, tha, LDK-ja shkon në opozitë.

Këto pozicionime më tepër u ngjajnë taktizimeve partiake sesa përpjekjeve të sinqerta për bashkëpunim dhe dërgim të PDK-së në opozitë. Duket se të dyja janë duke llogaritur se si ta akuzojnë njëra-tjetrën për dështim në qoftë se PAN-i ia del ta bëjë Qeverinë, ose në qoftë se do të shkohet edhe në një palë zgjedhje.

Në qoftë se LVV-ja dhe LDK-ja nuk e ndërrojnë këtë mënyrë të komunikimit, vështirë të ndodhë ndonjë bashkëpunim. Shumë më realistë do të mbesin skenarët kur Haradinaj do të bëhet kryeministër nga PAN-i ose se do të kemi sërish zgjedhje nacionale.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme