Vetëvendosje e quan tradhtar Haradinajn: Kosova po i humb 8 mijë e 200 hektarë

Pavarësisht se për të njejtën temë, para dy vitesh ishin bashkë në protesta dhe hedhjen e gazit lotjsellës në Kuvend, sot qënrdimet kanë ndryshuar.

Vetëvendosja në njërën anë vazhdon të thotë se Kosova do t’i humb 8 mijë e 200 hektarë, kurse Haradinaj ka lëshuar pe në raportin e Bulliqit duke e cilësuar vetëm si orientues.

Partia e Albin Kurtit edhe një herë e ka treguar se vota e saj do të jetë kundër marrëveshjes aktuale për demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas tyre zhvillimet e fundit kanë qenë pazar fjalësh. Kurse Haradinajn e kanë cilësuar si tradhtar.

“Pas fjalëve të forta në seancën e së premtes në Kuvend, Kryeministri Haradinaj qenka marrë vesh me LDK-në për votimin e demarkacionit me Malin e Zi. E kanë shtuar fjalën “si orientim” për raportin e Komisionit Bulliqi, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë Raportin që akuzon e rrënon Komisionin Meha, edhe të mos e marrim seriozisht atë. Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8,200 hektarë njësoj. Ky Projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar”, thuhet në komunikatën e VV-së.

“Brenda vitit AAK-ja ndryshoi qëndrim për demarkacionin. Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin Bulliqi. Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajt vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme. Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit?”, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas VV-së, kryeministri Haradinaj është zmbrapsur, dhe për këtë edhe po flaë territor, gjithnjë sipas partisë së Albin Kurtit.

“Duke qenë se Kryeministri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët. Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t’u bërë Kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t’ia shpëtojë Kosovës 8,200 hektarë, ose t’i falë ato për të mbetur thjesht Kryeministër. Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare. Ne nuk e mirëkuptojmë dhe as e kuptojmë zellin e askujt që shtyn një marrëveshje të tillë për vendin. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do ta votojë këtë Projektligj të dëmshëm. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta kundërshtojë atë”, përfundon komunikata e VV-së.

Ndryshe seanca për ratifikimin e demarkacionit do të mbahet të mërkurën. /Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme