Deputetja e Vetëvendosjes, Arberie Nagavci sot përmes një konference për media ka thënë se pas gjetjeve të reja të komisionit për shënjimin e demarkacionit me Malin e Zi, kjo marrëveshje nuk do të duhej të sillej në Kuvend, por raporti të dërgohet në prokurori.
Ajo thotë se është e pakuptmtë se si kryeministri Ramush Haradinaj synon ta sjellë në Kuvend demarkacionin, edhe pse janë gjetur shkelje nga komisioni i kaluar, i udhëhequr nga Murat Meha.
‘’Pas këtyre gjetjeve, marrëveshja e pretenduar nuk do të duhej të vinte fare në Kuvend. Është e pakuptueshme se si një kryeministër ta sjellë në Kuvend, në vend që ta dërgojë në prokurori raportin dhe gjetjet. Personat e përfshirë në komisioninn e kaluar, aktualisht do të duhej të ishin para një procesi gjytqsor.’’, ka thënë Nagavci, transmeton Periskopi.
Tutje ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë procesin për hetimin e kësaj marrëveshjeve, ndërsa thotë se Kuvendi nuk duhet të përfshihet në këtë rast flagrant të cënimit të territorit të Kosovës.
‘Ne jemi për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por jo për të cënuar asnjë centimetër të territorit tonë’’, ka thënë deputetja e VV-së.
Tutje thekson që komisioni i ri qeveritar, i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi ka gjetur gabime, pasi marrëveshja nuk është për shënjimin e kufirit por për caktimin e kufirit.
‘’Me këtë rast, kufiri ekzistues është zhvendosur për 5 a 6 kilometra. Ish-komisioni ka manifestuar mosnjohje të rregullave të përgjithshme ndërkombëtare’’, thotë Nagavci./Periskopi/