Vetëvendosje: LDK ka qeverisur 15 vite si “shefi i shefave”

Pas reagimit të ashpër të LDK për pjesamrrjen e Dardan Sejdiut në protestë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Përmes një njoftimi Vetëvendosjes thotë se LDK-ja e humbi çdo argument për demarkacionin, nën panikun që do ta humbë edhe Qeverinë, dhe si rezultat i kësaj ka filluar të dalë nga kontrolli me akuza e shpifje.

Vetëvendosje thotë se për 15 vite LDK-ja ka qeverisur me krim dhe korrupsion sikur “shefi i shefave”, duke aluduar te Adem Grabovci, me të cilin janë në koalicion qendror.

“LDK-ja që për 15 vite ka qeverisur me krim të organizuar e korrupsion, njësoj si ‘shefat e shefave’ që i ka në koalicion, po e akuzon për korrupsion qeverisjen aktuale e cila e kanë çrrënjosur përfundimisht krimin dhe korrupsionin e kësaj partie nga Komuna e Prishtinës. Ajo madje po shpifë në mënyrën më të paskrupullt për nënkryetarin e Prishtinës, z. Dardan Sejdiu”, thuhet në reagimin e VV-së

LDK-ja ka kërkuar që Dardan Sejdiu, sipas Vetëvendosjes, të largojë kriminelët nga Komuna e Prishtinës, por “ka harruar me qëllim që me të marrë qeverisjen, nga Komuna e Prishtinës janë larguar kriminelët që për 15 vite i kanë dhunuar e zhvatur qytetarët e Prishtinës dhe kjo komunë është shndërruar në institucionin gati të vetëm shtetëror ku kriminelë e matrapazë si ata që po e qeverisin vendin, nuk mund të kenë asnjëherë vend. LDK-ja qëllimisht ka harruar që i pari i saj, Isa Mustafa, sot e asaj dite i ka mbi 70 dosje në Prokurori, për krim e korrupsion në kryeqytet”.

Ata kërkojnë që LDK të mbajë përgjegjësi për shkatërrim ekonomik, politik e social.

“LDK-ja flet për ‘asfalt korruptiv (!)’ por harron që vetëm për 3 vite në Prishtinë është punuar e ndërtuar dhjetëra herë më shumë, me sasi e cilësi, se sa për 15 vite të qeverisjes së saj kriminale. LDK-ja shpreson që duke kërcënuar me ‘përgjegjësi ligjore’ aktivistët opozitar që e kundërshtojnë qeverinë kriminale, do t’i frikësojë qytetarët. Por ajo po harron që është një përgjegjësi pakrahasimisht më e madhe që do ta mbajë ky subjekt: përgjegjësinë historike për shkatërrimin ekonomik, politik e social që po ia bën Republikës sonë”, thuhet në fund të reagimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme