Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndarë mendjen ende nëse do ta mbështesë apo jo shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Por për një gjë janë të bindur. Thonë se nuk do t’ia bëjnë argatin Presidentit Hashim Thaçi i cili sipas tyre, po tenton që me shfuqizimin e ligjit të blejë kohë për të bërë kompromise vetëm për vetën e tij, raporton KTV.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se shfuqizimi i Speciales është i pamundur, pasi për të ndaluar një gjë të tillë do të duhej të bëhej ndryshimi i Kushtetutës ku të domosdoshme janë votat e minoritetit serb.
Për Shoqërinë Civile, situata është më serioze sesa që paraqitet, për faktin se në Kosovë nuk ekziston një unitet politik dhe se është e pamundur të shfuqizohet një vendim i tillë.
Mesazhi i shteteve të Quintit ishte i qartë, sipas Artan Muratit. Kjo mund të shihet edhe si paralajmërimi i fundit për institucionet e Kosovës, pasi pas asaj letre nuk mund të ketë më vend për bisedime, por vetëm veprime konkrete nga ta.
Në anën tjetër, Vetëvendosje thotë se nuk është kundër asaj që ka thënë Quinti, por sipas tyre, ata e kanë të qartë qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje që është kundër një gjykate e cila kriminalizon luftën e UÇK-së.
Haxhiu thotë se ajo që do të bëjë Vetëvendosje është tentimi për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend, në mënyrë që ky sistem t’i gjykojë më pas pretendimet për të bëmat e UÇK-së.
Në natën e 22 dhjetorit me nënshkrimet e 43 deputetëve u tentua që të shfuqizohej Ligji për Gjykatën Speciale.
Por tentativa e deputetëve dështoi pasi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e përcjellë edhe me presion ndërkombëtar, dështoi dy herë brenda natës që të thërrasë seancë për shkak të mungesës së kuorumit.