Lëvizja Vetëvendosje përmes një kumtese ka reaguar ndaj vendimit të Serbisë për vënë qarkullimi linjën hekurudhore Beograd – Mitrovicë, transmeton Koha.net.
Ky vendim, thotë kumtesa është cenim i drejtpërdrejt i sovranitetit të Kosovës. Ky projekt është vazhdimësi e shmangies së shtetit tonë dhe krijon lidhje direkte me shtetin e Serbisë. Serbia po e bën zhvendosjen e kufirit para syve të qeveritarëve tanë. Tashmë, kufiri me Serbinë, nga Leposaviçi është zhvendosur në lumin Ibër ku është ndërtuar një mur ndarës. Ndërkaq, linja hekurudhore që është vendim i shtetit serb është tregues i sjelljes së Beogradit sikur të ishin brenda të të njëjtit shtet me pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas Vetëvendosjes, Linja hekurudhore nuk ka të bëjë me kurrfarë integrimi për të cilin flasin qeveritarët tanë. Përkundrazi, kjo linjë është dëshmi që Serbia e injoron krejtësisht kufirin dhe shtetin e Kosovës dhe përpiqet që t’i tërheqë drejt vetës serbët e Kosovës.
Vetëvendosje në kumtesë thotë se Serbia po i bën të gjitha projektet që e cenojnë sovranitetin në veri të vendit tonë. Me të njëjtën Serbi, Qeveria jonë ka pranuar të negociojë. Prej së njëjtës Serbi dhe me Listën Serbe po provohet të instalohet “Zajednica” në Kosovë. Ky projekt nuk është i ndryshëm. Linja hekurudhore është vetëm njëri prej treguesve se si mund të dukej “Zajednica” e cila sjellë ndarje reale por edhe simbolike. Flamujt dhe kishat ortodokse në trenat e ri, janë vetëm kujtesë që ndarja është etnike dhe nuk bëhet fjalë për hekurudha përbashkuese.
© KOHA.