Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka folur për vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të Kryeministrit dhe kabinetit të tij.
Deputetja Haxhiu që vendimin për rritje të pagave e kishte dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila së fundi doli me opinionin se qeveria nuk e kishte shamngur konfliktin e interesit, tha sot përmes një konference që do të bëjë kallzime penale ndaj kryeministrit dhe ministrit që kanë marrë këtë vendim të kundërligjshëm.
“Ky vendim përveç që është i kundërligjshëm dhe vepër penale, është edhe kundërkushtetues pasi që ka ndërhyrë në kompetencë të Kuvendit. I vetmi autoritet legjitim për të ngritur pagat është Kuvendi përmes Ligjit për Buxhetin dhe Ligjit për Pagat, ky vendim është kundërkushtetues edhe për shkak se është në shpërputhje me gjendjen socioekonomike”, tha Haxhiu në konferencën për media.
Haxhiu tha që pret nga Kryesia e Kuvendit që ta aprovojë kërkesën e grupit parlamentar për intereplancë për vendimin e rritjes së pagave.
“Vendimi për rritjen e pagave nuk duhej të pezullohej, por të shfuqizohej. Deklarimet se më këtë preken gjyqtarët dhe prokurorë janë të pasinqerta”, tha tutje Haxhiu gjatë konferencës.
Haxhiu tutje deklaroi se përmes informacioneve që ka, Qeveria nuk ka qenë fare në dijeni se me rritjen e pagës për kryeministrin dhe kabinetinj, do duhej të kishte rritje edhe për gjykatësit e prokurorët.
Para dy ditësh qeveria pezulloi përkohësisht vendimin për rritje pagash.