Djali i hasretit, 18 vjeçari Jetmir Bekaj, i dha fund jetës së tij të dielen pasdite, duke u varur në litar. Rasti tragjik ka tronditur familjen dhe miqtë, e këta të fundit e kujtojnë të ndjerin me fjalët më të mira, transmeton Gazeta Metro.
Express gjatë ditës ka qëndruar në Dubravë të Istogut nga ku familjarët kanë rrëfyer për rastin
Familja Bekaj nga fshati Dubravë e Istogut të hënën kishte hapur dyert për të pame.
Në shtëpinë e tyre ishin drejtuar shumë persona që po shkonin për kryeshnosh.
Vetëm një ditë më parë, djali i vetëm i shtëpisë, bëri vetëvrasje duke u varur me litar. Ngjarja tragjike ka tronditur familjarët e shokët e 18 vjeçarit, Jetmir Bekaj.
Të ndjerin ata e kujtonin me fjalët më të mira, ndërkaq, atij sot i dhanë edhe lamtumirën e fundit.
Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në familjen e të ndjerit, Bekaj në Dubravë të Istogut, nga ku familjarët kanë rrëfyer se si ka ndodhur rasti.
Këtë vikend kishte vendosur që ta kalonte me familje. E gjatë ditës, në shtëpinë e Bekajve kishte pasur mysafirë e me ta Jetmiri kishte qëndruar tërë ditën, duke biseduar e qeshur.
Por, një orë më vonë, pasi që në shtëpi kishte mbetur vetëm familja e ngushtë, nëna e djalit kishte dëgjuar një zhurmë nga kati i dytë i shtëpisë.
E shqetësuar, kishte vrapuar deri në dhomën e të birit, e djalin e vetëm do ta gjente të varur me litarë e të vdekur në vend.
Vëllai i vetëm i tre motrave, që nuk kishte shumë kohë që kishte përfunduar shkollën e mesme do t’i jepte fund jetës së tij, pasditen e së dieles.
Për rastin tragjik, ka rrëfyer për Express familjari i Jetmirit, Rasim Hasanaj. Ai ka deklaruar se djali nuk ka pasur probleme me askënd edhe pse ka qenë person fjalëpak.
“Shumë i qetë ka qenë si person. Dje ka ndodhë rastin në shtëpinë e tyre. Ka qenë gruja jem, ka nejt dje ka pi çaj me to, tezja e djalit, ka nejt koxha ni kohë, mas atij rasti janë përshëndet e ka lanë në shpi, mas 1 ore që ka ardh gruja në shpi na kanë thirr që ka ndodh rasti”, tregonte Rasimi.
“Djali u kanë tana herat,shnosh mirë, ska pas problem as me shëndet, as me kurgjo, qysh i ka ardh momenti papritë. S’kanë mujt me e vërejt ai ka qenë shumë djalë I mirë”, thoshte ai duke treguar se si ka ndodhur rasti.
“Nana vet e ka gjet rastësisht, veç ka ni rrapllimë, është ngjit shkallve, kur e ka pa u trondit shumë, ska pas shancë me pshtu, sekondat janë në pyetje. Nuk jam kanë me pa se shumë randë. E ka mbyt veten me litar. I ka lanë tri motra, vëllezër jo, baba i punon në qebaptore në Istog, kushtet i ka pas të plotsume, çdo sen që ka lyp ai ja kanë dhanë jo që diçka po mshefim, po realitetin pe tregojmë. Prindërit janë ka mërziten shumë” shtoi ai.
I ndjeri, nuk ka lënë ndonjë letër a shënim për ata të cilët i ka lënë pas, ndërsa familjarët kanë treguar se asnjë gjë e dyshimtë nuk u gjet as në telefonin e tij.
Sipas tyre, ai kishte pak miq, e me ata nuk kishte ndonjë problem që mund ta çonte në vetëvrasje.
Miku i tij i ngushtë, me të cilën kishin ndarë edhe të njëjtën bankë në shkollë, kishte që nga mëngjesi që priste njerëz që vinin në shtëpinë e shokut të tij.
Kujtim Metaj, i ka thënë Expressit, se edhe pasi që kishin përfunduar shkollën e mesme, kishin vazhduar të takoheshin e të dilnin bashkë.
Por, Kujtimi kishte siguruar një vend të punës, e Jetmiri kishte kohë që po kërkonte një të tillë.
“Para katër ditëve ka ardh të une, më ka shkru për me ardh, më tha po vi, kum ardh e kam marrë, kemi shku në shpi, kemi bo hajgare kemi kesh, llaf qesi sene, diçka që me vrejt që su kanë mirë jo. Me pas kanë tu fol me dikan ose me e pas nguc dikush, krejt më kish kallxu”, rrëfente shoku i ngushtë i të ndjerit.
Ai gjithashtu tregonte se këto ditët e fundit, Jetmiri qëndronte vetëm duke qeshur dhe nuk i ka munguar asgjë.
Për shokun thoshte se i ka pëlqyer të dalë e të shëtisë nëpër vende të ndryshme, e peng kishte që nuk po e gjente një punë.
Momentalisht detaje për prapavijën e asaj që mund ta ketë çuar drejtë vetëvrasjes të riun nuk kanë as nga prokuroria.
Në Prokurorinë Themelore e Pejës kanë bërë të ditur se janë në pritje të raportit të autopsisë. “Prokuroria kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, në Prokurorinë Themelore të Pejës, menjëherë pasi është njoftuar nga policia për rastin në fjalë, ka dalë në vend të ngjarjes, në fshatin Dubravë të komunës së Istogut, ku dyshohej se është vetëvrarë një person i moshës 18 vjeçare. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion me urdhër të prokurores kujdestare , ndërkaq jemi në pritje të raportit të autopsisë për vdekjen e viktimës. Prokuroria Themelore e Pejës do t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme hetimore për ndriçimin e kësaj çështje”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikci për Express.
Nga Policia e Kosovës, zëdhënësi, Driton Rugova, tha se rasti ka ndodhur rreth orës 17:50.
I ndjeri, 18vjeçari Jetmir Bekaj është varrosur sot në orën 16:00 në varrezat e fshatit Dubravë.
Ai ka lënë prapa prindërit dhe tri motra.