EMISIONI VETTING
Dikur, rrugët e Hasit ishin të gjalla, të mbushura me fëmijë dhe të rinj. Por sot, ato rrugë janë shndërruar në zbrazëti pa fëmijë, pa të rinj… pa jetë. Papunësia e lartë dhe varfëria që dominon këtë qytet kanë bërë që shumë prej tyre të detyrohen të braktisin atdheun dhe të kërkojnë mundësi në perëndim.
Të rinjtë e Hasit i kanë sytë tek emigracioni me destinacion Britaninë e Madhe. Nuk ka familje që të mos ketë të paktën një anëtar që ka emigruar në Britani. Ky fenomen nuk është thjesht një pasqyrim i mungesës së mundësive vendase, por një dëshmi e tragjedisë që po shuan shpresat e të rinjve për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Në këtë rrugëtim, do të shohim realitetin e hidhur të disa familjeve në Has, të cilat jetojnë me ndihma ekonomike, me borxhe për ushqime dhe shpresojnë vetëm për një mundësi të vogël pune që do të mund t’i nxjerrë nga ky qark i mbyllur i varfërisë. Një luftë për të mbajtur gjallë familjet e tyre, ndërsa shohin se si të rinjtë ikin drejt së panjohurës për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.
Në Has, shumë familje janë të detyruara të bëjnë sakrifica të mëdha për të mbajtur veten dhe fëmijët e tyre gjallë. Gratë e moshuara, të cilat ndajnë historitë e jetës së tyre të dhimbshme, flasin për mangësinë e thellë që ka mbërthyer çdo aspekt të jetës së tyre.
Ato nuk mund të blejnë ushqimet bazë, dhe shpeshherë janë të detyruara të marrin ushqimet me borxhe, duke i shkruar emrin në listën e borxheve pranë dyqanit të lagjes. Në këtë mënyrë, ato janë të detyruara të kërkojnë mësymjen e një shprese që nuk vjen kurrë.
“Nuk kemi kushte, nuk ka ku shkon më keq, punësim hiç, jemi të gjithë në shtëpi, kushte më të dobëta se kaq nuk ka. Jetojmë me ndihmë ekonomike, 5000 lekë, kemi shkuar 2-3 herë për punë, por nuk kemi. Këtu jeton djali vetë i pesetë, djali tjetër është veti i katërt, me një fjalë jemi 11 veta që jetojmë në kushte të vështira.”- shprehet një e moshuar për Vetting.
Ky është realiteti i një familjeje që po përpiqet të mbijetojë, duke pritur që një mundësi të vogël pune të ndihmojë për të kaluar ditën, por që fillimi ditës dihet e mbarimi i saj kalon në kufijtë e një ditë të zakonshme sikurse në qytetet e tjera të vendit tonë.
Gruaja e moshuar e përmend shpesh se ushqimet për fatin e keq po konsiderohen luks. Kërkesa për të mbajtur fëmijët e saj të vegjël të ushqyer, e ka tërhequr në një spirale të hidhur borxhesh që nuk ka fund. Papunësia është një fenomen i përhershëm dhe kërkesa për punë ka mbetur një iluzion i largët.
“Ushqimet i blejë me borxhe duke shkruar emrin në listën e dyqanit, jemi pa punë, nuk mundemi ti blejmë. Punë s’ka, gjë s’ka.”- thekson ajo.
“SHPRESA PËR NJË JETË MË TË MIRË – EMIGRIMI SI ZGJIDHJA E VETME”
Një tjetër problem që vihet re në Has është emigrimi i të rinjve, të cilët po largohen për të kërkuar një mundësi më të mirë për jetën. E moshuara tregon për djalin e saj që ka emigruar, por që për fat të keq ka hasur po të njëjtën mungesë mundësish edhe atje. Sipas të moshuarës djali i saj është larguar në emigracion me gomone, duke synuar një jetë më të mirë, por ka përfunduar në një situatë që nuk ka mundur ta mbajë dot veten.
“Kam një djalë në emigracion, ka shkuar me gomone, nuk i ka ecur për vete, jo për mua. Nuk ka punë atje, i kam thënë të kthehet tek ne në Has.”- tregon ajo.
Në një qytet ku edhe pensionistët jetojnë me 6 mijë lekë dhe ku ushqimet blihen vetëm me borxhe, është e qartë se Hasi është një qytet në krizë dhe një pasqyrë e hidhur e atyre që po përballen me varfërinë ekstreme.
“Problemi ynë kryesor është mungesa e një shtëpie, janë tre fëmijë, djali pa punë, marr 60 mijë lekë të vjetra pension, me ato jetojmë si familje që jemi këtu. Jetojmë me qira, bëjmë sakrifica për të paguar qiranë, të marrësh borxh por nuk të jep askush borxh. Ushqimet, po me lista i marr, fëmijët duan të hanë bukë”, thekson e moshuara.
Ndërsa djali i kësaj familje, babai i tre fëmijëve thotë se është pa punë prej shumë kohësh pavarësisht përpjekjeve duke kërkuar në vende të ndryshme nuk ka arritur të sigurojë një vend pune që të ndihmojë familjen e tij.
“Vetë jam i papunë, gruaja pa punë, nëna merr 60 mijë lekë pension, më ka dhënë ndihma bashkia, faleminderit bashkisë. Vetë qëndroj gjithë ditën pa punë, vijë vërdallë, dua të kem një punë, puna e mbanë njeriu gjallë.” Kam kërkuar punë nëpër firma private, por nuk ka punë. Kam tre fëmijë të vegjël të katërtin e pres.”- shprehet ai.
Sipas të dhënave nga EUROSTAT, shqiptarët janë ndër më të varfrit në Europë duke iu referuar të ardhurave për frymë dhe konsumit të ulët. Por kur vjen puna te çmimet e ushqimeve i kemi më të lartat në rajon duke ua kaluar edhe disa vendeve të Bashkimit Europian. Madje edhe me te shtrenjta se vet Kosova dhe për këtë arsye kush është në kufi shfrytëzon rastin për të kaluar kufirin dhe për të mbushur frigoriferin.
Majlinda Kastrati tregon se ushqimet ia kanë blerë të afërmit në Kosovë sepse atje janë me çmime më të lira, të zhytur në borxhe dhe me ndihmën ekonomike që marrin nga bashkia, ata luftojnë të mbijetojnë.
“Ushqimet m’i ka blerë baxhanaku në Kosovë, se janë pak më lirë atje, por akoma nuk i kemi paguar, miellin e kemi blerë me borxhe, ndërsa ushqimet me borxhe tek Faslli Kastrati, shtëpia me qira 120 mijë lekë, pa llogaritur dritat dhe ujin, nuk kemi asnjë lloj kushti, problem për ne ka qenë gjithmonë shtëpia! Bukën e pjek tek kjo soba e prishur, shikoje si është hapur lart. Nuk kam mundësi për të blerë tjetër, pjek shumë avash, kam shumë vite me këtë sobën”- shprehet Majlinda Kastrati.
Ne gjendjen civile të Bashkisë së Hasit janë të regjistruar ne total 23 mijë banorë. Emigracioni në këtë zonë është shumë i theksuar, nuk gjen një familje që të mos ketë emigrant, në disa raste 80% e anëtarëve të familjes kanë ikur në emigrim. Për “Vetting”, kryetari i Bashkisë së Hasit Miftar Dauti sqaron se emigracioni po e dëmton atë vend.
“Ne si bashki jemi një bashki ku fenomeni i emigracionit është shumë I theksuar, sepse në përgjithësi njerëzit tanë kanë emigruar në Britaninë e Madhe, por emigracioni ka filluar më herët, me Greqinë, Italinë, Gjermani, me këto vendet më afër Hungarinë, Rumaninë, d.m.th. është i shpërndarë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, dhe sot mund të them me siguri se nuk ka familje që të mos kenë një përfaqësues të tyre në Britaninë e Madhe.”- thekson kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti.
Mundësitë e punësimit në këtë qytet janë të pakta, pasi nuk ka kompani private, por edhe minierat e hekurit, nikelit, kromit dhe bakrit nuk funksionojnë, gjë e cila kontribuonte në ekonominë e hasjanëve. Bizneset e vogla që shikon në qytet janë vetëpunësime për mbijetesë, nuk kanë mundësi të ofrojnë vende pune.
“Mundësitë e punësimit në Has janë të vogla sepse ne nuk kemi ndonjë kompani, ne me të vërtetë jemi zonë minerare, por vlen shumë për të dëshiruar sepse ka hekur, nikel, krom dhe bakër. Me Hekur-nikeli dhe bakrin pothuajse nuk është marrë askush me të, kromi është keqpërdorur, është keqpërdorur sepse kanë ardhur disa kompani dhe sipas meje dhe atë që kam parë janë bërë vetëm shit-blerje letrash nuk është bërë punë. Kemi patur një fabrikë kromi ku kanë qenë të punësuar 20 vetë, është mbyllur fabrika, janë kufizuar pjesa e minierës, dhe çdo ditë e më shumë numri i të punësuarve ka ardhur duke u ulur.
Në të njëjtën kohë duke qenë se fenomeni i emigracionit është shumë i madh, biznesi i vogël këtu aq është. Ai që mund të vetëpunësohet është mbijetesë.” thekson kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti.
Çdo vit në Shqipëri, mesatarisht lindja e fëmijëve është 3% më pak se vitet paraardhëse, duke shënuar shifra alarmante për të ardhmen e vendit. Për shkak të këtyre lindjeve ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve në disa shkolla, të cilat rrezikojnë të mbyllen, ndërsa në disa shkolla mësimi zhvillohet në klasa kolektive.
“Numri i lindjeve është shumë i ulët, unë e parandiej që shumë shkolla do të vijnë drejtë mbylljes sidomos shkollat e fshatrave shumë të thella të bashkisë. Kanë filluar që të jenë klasa kolektive, ka klasa që nuk parashikohet të fillojë klasa e parë për efekt të fëmijëve që nuk janë, është fenomen i dhimbshëm por është evident në Bashkinë tonë si në Bashki të tjera është ky fenomen’- thekson kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti.
Drejtoresha e Arsimit në Bashkinë Has, Mirela Lleshi, tregon se numri i nxënësve ka rënë, dy shkolla janë mbyllur për shkak se njerëzit kanë ikur në emigracion.
Gjithçka sipas saj, ndodh për shkak të emigrimit të shumë familjeve nga Hasi. Problemi i emigracionit është një problem që në Shqipëri ka vite që vazhdon dhe Hasi nuk mund t’i shpëtonte një fenomeni të tillë, shprehet Mirela Lleshi.
“Shkollat tona kanë qenë me një numër më të madh nxënësish nqs do të shohim marzhin e ndryshimit që nga vitin 2019 e në vazhdim ka një rënie të numrit të nxënësve. Në shtatorin e vitit 2019 kishim 2070 nxënës në arsimin 9-vjeçar, 699 nxënës në arsimin e mesëm dhe 571 nxënës në kopshte. Përsa i përket numrit të shkollave që janë mbyllur plotësisht, kemi vetëm dy shkolla, shkolla “Dome”, dhe “Kishaj”. Ndërsa disa shkolla të tjera në fshatra kanë kaluar në shkolla vartësie dhe qendër, mund të përmendim këtu që në shkollën “Letaj” kemi vartëse shkollën “Beraj”, që është një fshat i largët me “Bajram Currin”, ka kaluar shkolla e “Gjinajve” në varësi të shkollës “Metaliaj” dhe në shkollën “Helshan” dhe “Kostor” janë të bashkuara, ndërsa të gjitha shkollat e tjera vazhdojnë që të jenë shkolla qendër.”- shprehet Mirela Lleshi.
Në të gjithë Shqipërinë gjatë 5 viteve të fundit janë regjistruar 3658 lindje më pak. Po të krahasojmë me numrin e vdekjeve, por edhe të rritjes së moshës, numri i lindjeve është shumë i vogël. Një tregues tjetër është fakti që popullsia në vendin tonë po pëson një plakje, pasi numri i personave me moshë të madhe ka ardhur në rritje.
Edhe pse Hasi paraqitet i varfër dhe me gjithë këto probleme , ka një peizazh malor me një faunë të pasur. Kullat e Hasit janë një ndër elementet arkitektonikë që karakterizojnë rajonin dhe janë një shembull i traditës së ndërtimit të kullave të fortifikuara të cilat shërbenin për mbrojtjen e pas luftës së Parë Botërore. Hasi ka pasur një traditë të fort bujqësore por për shkak të migrimit të brendshëm, por edhe të jashtëm, tradita e bujqësisë është zbehur duke ngelur më së shumti me toka djerr. Prodhimet bujqësore më së shumti i blejnë në Gjakovë sepse i gjejnë me kosto më të lirë se në zonën e tyre.
Shqipëria po kthehet në një parajsë të braktisur. Prej politikës, varfërisë dhe sistemit shumë pak ose aspak social, popullsia po zhvendoset dhe po deformohet jeta sociale e qyteteve të vogla.
Të rinj shqiptarë të moshës nën 35-vjeç shtyhen të marrin valixhet të lënë pas nënën dhe babanë për një jetë më të mirë.
Dështimi i një projekti
Nisur nga shifrat e larta të emigracionit, më 12 tetor 2022, ambasada e Britanisë së Madhe nisi zbatimin e projektit “Perspektiva të Reja” për Bashkinë Has, Kukës dhe Tropojë. Përmes këtij projekti synohej të frenohej emigrimi i të rinjve, qëndrimi pranë familjeve të tyre.
Projekti me vlerë 8.4 milionë paund kishte qëllim të fokusohej në krijimin e vendeve të reja të punës, aftësim profesional, investime dhe në përmirësimin e kushteve social-ekonomike në bashkitë e goditura rëndë nga emigracioni dhe varfëria. Ish-ambasadori Alastair King-Smith ngriti alarmin se shumë të rinj që i drejtoheshin Britanisë së Madhe në rrugë ilegale, përmes gomoneve dhe kamionëve për të kërkuar një jetë më të mirë po shfrytëzoheshin nga organizatat kriminale duke i punësuar në “shtëpi bari”.
“Një përpjekje më e fortë e përbashkët për zhvillim nga ne, qeveria dhe partnerët e shoqërisë civile është thelbësore për të ndihmuar njerëzit në rajon. Vetëm duke adresuar çështjet ekonomike dhe sociale mund t’i japim fund dëshpërimit të të rinjve për t’u larguar. Ju bëj thirrje të gjithëve që të dyfishoni përpjekjet për të ndaluar mënyrën sesi të rinjtë po shfrytëzohen nga kriminelë dhe trafikantë. Ne duam që të rinjtë të kenë shpresë se mund të zhvillojnë aftësi dhe të punojnë këtu, në këtë rajon, të shijojnë aktivitetet argëtuese dhe të jetojnë me familjet e tyre në mënyrë të sigurtë”.- shprehej ish-ambasadorit Alastair King-Smith.
Çfarë përmban projekti “Perspektiva të Reja”?
Projekti “Perspektiva të Reja” financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatohet nga Svvisscontact, në konsorcium me TAG International. Projekti synonte përmirësimin e kushteve socio-ekonomike që shpesh i shtyjnë njerëzit të migrojnë në mënyrë të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar nga veriu i Shqipërisë (Kukës, Has, Tropojë. Burrel dhe Dibër). Projekti parashikohej të zgjaste nga shtatori 2022 deri më 31 mars 2026. Në këtë projekt ishin tre objektiva kryesore:
Rritja e qëndrueshmërisë së komuniteteve ndaj presioneve për të emigruar në mënyrë të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar. Përmirësimi i kushteve dhe mundësive social-ekonomike në Qarkun e Kukësit dhe Bashkinë e Dibrës, veçanërisht për të rinjtë. Gjithashtu në fokus ishte dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, sektorit privat dhe pushtetit vendor për zhvillimin ekonomik të zonës.
Sa qytetarë kanë përfituar në bashkinë e Hasit?
Burime zyrtare për “VETTING” tregojnë se në Has gjatë vitit 2023 kanë përfituar kurse profesionale vetëm 11 të rinj, 14 persona në vitin 2024, ndërsa është kryer edhe financimi i ndërtimit të një laboratori në gjimnazin “Skëndërbeu” në Has. Por numri i personave që ka përfituar nga ky grant për vitin 2024 është zvogëluar në 3 persona, të cilët kanë marrë mësime në teknologjinë kompjuterike.
Projekti i Britanisë së Madhe ka dhënë një ndihmë simbolike, duke mos dhënë rezultatet që pritej. Ndërsa qyteti i Hasit vazhdojnë të jenë të goditur nga papunësia, varfëria dhe emigracioni që çdo ditë njeh vetëm rritje duke bërë që ky qytet të humbas pothuajse gjithë shkëlqimin e tij, që kishte ndër vite.