Vetting/ Shtëpia iu shemb nga tërmeti, banesën e re s’ja dhanë kurrë, por ia ‘rrëzoi’ projekti i Unazës së Re! Kalvari i vuajtjeve të Policit të Burgjeve, që ngeli mes katër rrugëve!

EMISIONI VETTING


Mustafa Kabili, ka jetuar për shumë vite në Paskuqan, në një banesë që u shkatërrua nga tërmeti i nëntorit 2019. Pas tërmetit, gjithçka ndryshoi për familjen tij për keq. Ajo që duhet të ishte një mundësi e re për një jetë më të mirë, u shndërrua në një kalvar vuajtjesh pafund. Fatkeqësia natyrore  ia shkatërroi banesën, por pas saj institucionet që duhet ta ndihmonin e lanë më të shkatërruar se sa vet tërmeti.

“Ra tërmeti erdhi një grup pune nga shteti dhe  u vendos do të shembej dhe do të bëhej shtëpia e re. Sa u bë shtëpia e re, erdhi një grup punë dhe thanë që do të kalonte Unaza. Më thoshin jo nuk kap bëra kërkesa nuk po më jepej përgjigje. S’po më jepej përgjigje as nuk po më linin të  takoja drejtorin  jo mos e lini ta takojë doli një punonjëse”- shprehet ai.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit mori përsipër rindërtimin, por sa nisi të rikonstruktohej shtëpia, një grup i dytë inspektimi u paraqit në terren për të kryer matjet. Mbi shtëpinë e tij do të kalonte Unaza e Tiranës, një mantel ankthi mbulonte familjen…

Ankthi shtohej më shumë sepse askush nuk i jepte një përgjigje, a do të prekej banesa e re nga projekti i Unazës së Re?

“Shtëpia, sa nisi të ndërtohej filloi dhe rruga… nuk e di vetëm në këtë vend bëhen këto gjëra” tha Mustafa Kabili.

mustafa kabili

Në fakt, ndihma nuk u dha asnjëherë siç duhej! Vet rindërtimi i banesës kaloi nëpër një proces të ngadaltë dhe jo transparent. Pas shumë ankesash shtëpia u rindërtua, por familjarët nuk qëndruan asnjë ditë në shtëpinë e re.

Por çfarë ndodhi?

Nga 130 metra katrorë banesë që zotëronte familja Kabili, kompania private kishte ndërtuar vetëm 80 metra katrorë, ndërsa 50 m2 i janë hequr pronari, i cili e kishte shtëpinë në proces legalizimi.

Mesa duket Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte pritur investimin e fondeve nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të dërguar ekskavatorin, që do të shkatërronte banesën e ndërtuar.

“I lutem kryeministrit të gjithë dokumentacioni e ka, të bëhem dhe unë me shtëpi” shprehet Mustafa Kabili. Ndërkohe qe bashkëshortja e tij thekson: “S’kam asgjë. Njeriu po nuk pati ushqim, veshmbathje, strehim ka mbaru!

 “Këtu ka qenë  drejtimi i shtëpisë sime. Punë 6-8 muajsh, akoma s’kishte përfunduar dhe erdhi problemi se do kalonte rruga tek shtëpia. E vjetra u  shemb pa u ndërtuar, tjetra kalonte Unaza pa u fut neve, erdhën e shemben edhe të dytën. Gjithë mundi e djersa e kemi kursyer me sakrificë të madhe e kemi ndërtuar atë shtëpi për 20 vite! Më thane, kemi urdhër nga ministrja, zhdukëm atë shtëpi, më mirë thuaj zhdukëm atë familje”, shprehet ajo për Vetting.

Burrë e grua dhe dy fëmijët u braktisën nga shteti dhe ky ishte vetëm fillimi i një periudhe të vështirë. Edhe pse kryefamiljari është punonjës në Policinë e Burgjeve, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, atij i është bërë një padrejtësi, duke ngelur pa shtëpi dhe pa pronë.

“Paguaj 400 mijë leke muaj për muaj me qira! Për ne aq e vështirë sa më s’ka, ka që në 2019 deri në 2025, ndërro një shtëpi  merr shtëpi me qira. Kësaj i thonë me vra të mbyturin!. Nuk e di ku të përplasemi ku të shkojmë, nuk di ku të shkojmë vetëm Zotit me ngri duart lart, nuk di ku të shkojmë

Punonjësi i Policisë është endur sa në një institucion në tjetrin për të gjetur drejtësinë, por deri tani nuk askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë situatë.

“Të më thoshin; Më tha Kryetari i Bashkisë, ndodhi kjo do të fusim në pallat, erdhi puna e pallatit, dështoi më thanë do të japim një truall, të japim shtëpinë edhe kjo dështoi’’, shprehet kryefamiljari.

Sikur të mos mjaftonte zvogëlimi i sipërfaqes së banesës prej 130m katror që zotëronte Mustafa Kabili, rezulton që Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka përfunduar projektin prej 80 metra katror të banesës, ka certifikuar vetëm objektin.

fondi shqiptar i zhvillimit

“Shtëpi tërmeti në ajër, nuk ka se zero truall ka qenë 509 metra katror, sipërfaqja e tokës. Këta e kanë vendos 0 metra katror truall. Ishte VKM qe legalizohet tokë dhe shtëpi. Punën që kanë bërë punën që kanë bërë shtëpinë aty 80 m2 e kanë bërë  për t’u justifikuar, por projekti do 100 vjet si u zbatua pa folur”, thekson ai.

Duke i ndërtuar më pak metra banesë nga çfarë kishte para tërmetit 2019, sipas denoncuesit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do ta kompensojë me më pak pagesë, duke ja ulur vlerën e banesës me rreth 50%.

“Infrastrukturën e  kërkojmë të gjithë, por jo kështu se e shkatërrove tjetrin. Të gjithë e kërkojmë zhvillimin, por jo në këtë formë, jo kështu se e shkatërrove tjetrin, e mbyte tjetrin”, shprehet Mustafa Kabili.

Në llogarinë bankare të denoncuesit akordohet një shumë që Mustafa Kabili e ka refuzuar. Shteti i ka kaluar 40 mijë euro për kompensimin, por me këtë vlerë ai nuk mund të blejë një banesë në zonën ku jeton.

Sepse në këtë rast, nuk është marrë parasysh as çmimi i referencës, që është shumë më herë i lartë se ai që i kanë kaluar Mustafa Kabilit, duke mos harruar dhe grabitjen e 50 metra katror ndërtesë dhe truall.

“Kam bërë kërkesë edhe tek shpronësimet. Nuk jam dakord me shpronësimin, dua të bëhem me shtëpi si gjithë banorët e tjerë.  Ku blihet shtëpi, 1400 euro ka shkuar m2 këtu në Paskuqan tani”, shprehet ai.

Sipas të dhënave nga tregu i pasurive të paluajtshme, 40,000 euro nuk mjaftojnë për të blerë një apartament, as sa gjysma e sipërfaqes së shtëpisë që Mustafa Kabili zotëronte.

“Personat që mund të vijnë me 40 apo 50 mijë euro te ne, fatkeqësisht ne nuk i ndihmojmë dot! Duhet të lokalizojmë zonën ku do shkojmë nëse do flasim për qendrën do të duhen për një apartament 2 + 1, minimalisht ndërtimet e reja, nëse jemi me fat gjemë diçka të re pastaj nëse spostohemi larg qendrës në periferi në zona pak më ekonomike mund të shkoj një apartament 2 plus 1 do shkoj tek 100 mijë euro po të jemi me fat edhe 90  mijë euro, thuajse është e pamundur për një familje me 4 persona! Janë disa vlera që askush nuk mund të blej dot asgjë, tani është hapur shpalljet aplikimet shpresoj që Bashkia të ketë reflektuar çmimet reale  që janë në treg, mos të tallen kot me popullin. Se e  kanë të pamundur të blejnë në ato vlera vijnë njerëzit përplasen  në dyert tona”, shprehet eksperti i pronave, Edvin Demirxhiu.

Mustafa Kabili kërkon me ngulm që fëmijëve t’iu lërë një banesë, të cilën e kishte në pronësi, por mesa duket e vetmja mundësi për një punonjës të shtetit është media.

Në të gjithë këtë tragjedi evidentohet qartësisht që kemi një mungesë akordimi midis pushtetit lokal dhe qendror.

Në këtë rast i kanë hequr pronën punonjësit të policisë, duke menduar se ai nuk do e ngrinte zërin pasi i rrezikohej vendi i punës.

Por a ka patur bashkëpunim midis Bashkisë Kamëz, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit? Si ka ndryshuar gjurma e rrugës e Unazës së Re në momentin e fundit? Kujt i mbetet përgjegjësia?

“U bë së bashku edhe shtëpia edhe rruga në fund fare po I vuajmë ne ,jemi në mes të katër rrugëve”, shprehet ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme