Mediat atje bëjnë të ditur që vetura i përkiste një austriaku me origjinë serbe, i cili nuk jeton më, dhe tani pyetja kryesore që duhet të bëhet është se si arritën atentatorët deri te sigurimi i kësaj veture , transmeton lajmi.net
Vetura, nga e cila dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq, u gjet e djegur një kilometër larg vendit të ngjarjes.
Policia e Kosovës të mërkurën ka njoftuar në vazhdën e hetimeve për vrasjen e ish-zyrtarit serb të Qeverisë së Kosovës, ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka procesuar shikimin e vendit të ngjarjes, ku janë mbledhur dëshmitë relevante për këtë rast.
Sipas PK-së, tani janë proces të ekzaminimit kriminalistik të të gjitha këtyre dëshmive. Policia njofton se në veçanti janë duke u nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e ngjarjes.
“Në kuadër të veprimeve hetimore është identifikuar një veturë e djegur, e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, veturë e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë rast. Gjithashtu kemi arritur të gjurmojmë në nivel vendi por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin/poseduesin e kësaj veture”, thuhet në njoftimin e PK-së.
24 orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, autoritetet kosovare ende nuk kanë identifikuar asnjë të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit serb të Kosovës.
Ivanoviq u qellua në gjoks, për vdekje, me gjashtë plumba, të martën në mëngjes.
Oliver Ivanoviq është figura më e lartë politike e vrarë në Kosovë, në 15 vjetët e fundit. Ai ka qenë për disa mandate deputet i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.
Ivanoviq së fundi ka qenë duke u përballur me aktakuzën për krime lufte, ndonëse ishte i dënuar nga Themelorja për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Veriu, por rasti ishte kthyer në rigjykim.