Të premten e 8 dhjetorit, zjarrfikësve e autoambulancës iu desh të intervenojnë te një banesë e kapluar nga zjarri, në qendër të kryeqytetit.
Depërtimi te vendi i ngjarjes për ta nuk ishte i lehtë, pasi kishte shumë vetura të parkuara, raporton “038” i KTV-së.
Problemet e tilla janë të vazhdueshme në punën që ata bëjnë.
Në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë pranojnë dhjetëra thirrje çdo ditë.
Por rruga deri te vendngjarja shpeshherë është e vështirë, jo vetëm për shkak të pjesëmarrësve të tjerë por edhe të hapësirës së ngushtë.
Pasi pohon se orët e pasdites, kur shumica e njerëzve përfundojnë punën, janë më problematiket, Makolli tregon pjesët më problematike për ta.
Të njëjtin problem e kanë edhe zjarrfikësit. Madje, shpeshherë edhe më të vështirë, për shkak të madhësisë së automjetit të tyre.
Berisha nuk i fajëson pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, pasi sipas tij, vetëm një pjesë shumë e vogël u shkaktojnë probleme.
Në nenin 168 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, mjetet me përparësi kalimi konsiderohen ato të Policisë, zjarrfikësve, emergjencës/ambulancës, FSK-së, mjetet me pronësi të institucioneve publike të autorizuara nga Polica dhe mjetet e njësisë së veçantë për transportin e personave të burgosur.
Me pika tjera të këtij neni, gjatë intervenimit, këtyre mjeteve u lejohet të mos respektojnë rregullat e komunikacionit, përveç në rastet kur një veprim i tillë do të rrezikonte pjesëmarrësit tjerë në trafik.
Me pikën dy të nenit 170, shoferi i cili nuk iu jep përparësi kalimi këtyre mjeteve dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 40 eurosh.
Ndërsa, sipas pikës dy të nenit 171, për të njëjtin veprim këmbësorët dënohen me gjobë prej 20 eurosh.
© KOHA