Protesta e 11-të, më madhja ndonjëherë kundër qeverisë Rama, ka vijuar me një marshim të gjerë të mijëra qytetarëve, i cili ka nisur nga bulevardi përpara godinës së Kryeministrisë.
Mijëra protestues janë zhvendosur fillimisht drejt Bashkisë së Tiranës, për të vijuar më pas në disa prej zonave kryesore të kryeqytetit.
Marshimi ka kaluar në zonën e “9-Katësheve”, më pas është shtrirë përgjatë rrugës së Kavajës dhe zonës së 21 Dhjetorit, duke vijuar drejt “Vasil Shantos” dhe stadiumit “Dinamo”.
Pas këtij itinerari të gjatë në disa akse të Tiranës, protestuesit janë parë sërish duke u kthyer në drejtim të Kryeministrisë, ku pritet të vijojnë thirrjet e tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Rama jep dorëheqjen”, Ju erdhi fundi. Edi Rama ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru”, dhe slogane të tjera janë dëgjuar vazhdimisht gjatë marshimit në bulevard.
“Rama në burg, Berisha në Burg”, “Shqipëri e re”, “Edi Rama dorëhiqu”, “Atdheu i Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Atdheu nuk shitet”, janë disa nga thirrjet e tjera që jehuan edhe sot teksa qytetarët marshojnë, ndërsa u bë edhe thirrja e përnatshme “Nesër më shumë”.





