VIDEO/ Vendimi për Berishën, ja DEKLARATA E PLOTE e Bashës

Nga Lulzim Basha

Kam patur fatin dhe përgjegjësinë e madhe që gjatë këtyre viteve të drejtoj Partinë Demokratike dhe të përballem me sfida, përgjegjësi, vendime të forta dhe kosto politike e personale.

Gjatë këtij rrugëtimi ka patur momente të bukura dhe të vështira. Kam bërë gjithçka, që në çdo vendim të kem si udhërrëfyes të vetëm interesin e Shqipërisë, interesin e Partisë Demokratike, interesin e demokratëve dhe të qytetarëve shqiptar, respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së çdo demokrati.

Jo gjithmonë ia kemi dalë që me vendimet tona të arrijmë atë që kemi dashur, atë që Shqipërisë i është dashur, atë që demokratëve i është dashur.

Por kjo nuk na ka lëkundur asnjëherë në përpjekjen tonë për të realizuar misionin për të cilin ka lindur Partia Demokratike, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Kjo nuk na ka lëkundur as në vendosmërinë tonë për të bërë më të mirën për qytetarët shqiptarë, për të ecur përpara të bashkuar, drejt atyre vlerave dhe parimeve që na bëjnë partinë më proamerikane dhe më proeuropiane në Shqipëri dhe në Rajon.

Për fat të keq, kur të gjithë ne prisnim që gishti i përgjegjësisë të drejtohej drejt Edi Ramës; autorit, ekzekutorit dhe bashkëpunëtori i masakrës elektorale të 25 prillit;

njeriut që në këto 8 vite, për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian;

të gjithëve bashkë na u desh të njiheshim me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non-grata të ish Presidentit, ish Kryeministrit dhe Liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Ky, ishte një nga momentet më të vështira për mua, si kryetar i Partisë Demokratike, si demokrat, si njëri prej jush, por edhe si një bashkëpunëtor i afërt prej vitesh i z. Berisha.

Kjo jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson për mua, si Lulzim Basha, apo për çdo demokrat, Sali Berisha, por edhe për faktin se unë jam dëshmitar si bashkëpunëtor i tij, ashtu si shumë prej jush, sa sa rëndësi dhe vlerë ka patur për Sali Berishën, mbrojtja e interesit publik dhe shërbimi me ndershmëri ndaj qytetarëve shqiptarë.

Prandaj dhe që ditën e parë ku u njoha me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit iu bashkova thirrjes për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim.

Sali Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.

Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.

Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj dua ta përsëris se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Partia Demokratike mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga Z. Berisha, i cili ka ndërmarrë një vendim në mbrojtje të dinjitetit të tij, duke e kërkuar këtë transparencë edhe në rrugë gjyqësore.

Ndërsa ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar transparencë është e drejtë themelore e njeriut, në rastin konkret çështja është komplekse për shkak se përfshin Departamentin Amerikan të Shtetit.

Nga ana ime prej dy muajsh e gjysëm kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë cështje.

Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacënueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë.

Me përkrahjen e SHBA, PD ka siguruar arritjet më të rëndësishme të saj në qeverisjen e vendit, nga të cilat kanë përfituar qytetarët shqiptarë.

Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë.

Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen.

Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës.

Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Këtë e kam të qartë unë, e ka të qartë çdo anëtar i Partisë Demokratike, e ka të qartë kushdo.

Prandaj dhe ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e z. Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike.

Ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë.

Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona.

Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë.

Vetëm në këtë mënyrë ne justifikojmë besimin e marrë ndër vite nga demokratët, dhe besimin që qytetarët shqiptarë kanë tek Partia Demokratike, si e vetmja alternativë qeverisëse që do të bëjë realitet ndryshimin real për shqiptarët dhe aspiratën e tyre për Shqipërinë si gjithë Europa.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme