Gazetar: Mihajllo Donev
Në Gjykimin e sotëm për vrasjen e dyfishtë, në dëshminë e tije, Dejan Dimovski, shef i njësisë për krime të dhunshme pranë MPB-së tha se dy të akuzuarit Velibor Manev dhe Bore Videvski i kanë thënë policisë se babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i ka treguar Ljupço Palevskit se në cilën orë Vanja do të dalë e vetme për të shkuar në shkollë.
Dëshmia disa orëshe e Dimovskit shkoi në atë drejtim që Aleksandri me veprimet e tij ka treguar se kishte informacion për zhdukjen e Vanjës. Dimovski shpjegoi para gjykatës se menjëherë pas zhdukjes së Vanjës, Aleksandri ka lëvizur në drejtim të rrugës së Kaçaniçut, ashtu si vetura Citroen me të cilën u rrëmbye Vanja. Sipas Dimovskit, pikërisht Aleksandri ka qenë ai që i ka dërguar fotografi të lëvizjes së automjetit të dyshimtë dhe ka thënë se mund të jenë të përfshirë persona që nuk janë nga Shkupi.
“Ne vazhdimisht kemi komunikuar me prindërit e Vanjës dhe Aleksandri më ka dhënë informacione. Ai më dërgoi edhe fotografitë e një automjeti, për të cilin tha se ishte e dyshimtë dhe duhet ta kontrollojmë. Ai tha se ndoshta është përfshirë ndonjë i moshuar nga një qytet tjetër, ndoshta nga Ohri apo nga Velesi, posaçërisht e theksonte Velesin. Më vonë, pas kontrollit, më morën në telefon për të më thënë se ai automjet në të vërtetë është Citroeni nga Velesi”, tha Dejan Dimovski, shef i njësisë për krime të dhunshme pranë MPB-së.
Sipas mbrojtjes së Aleksandrit, nuk ka prova konkrete për përfshirjen e tij në këtë rast dhe pretendimet e dëshmitarit janë vetëm supozime për sjelljen e tij.
“Dëshmia e këtij dëshmitari, siç tha vetë, është se sjellja e Aleksandrit ka mbetur vetëm në shkallën e dyshimit. Ai konfirmoi se nuk kishte ofruar asnjë provë relevante, e cila do të çonte në atë drejtim që ai të jetë i akuzuar. Ai solli disa gjëra për të cilat as nuk e di nëse është bërë procedurë në atë drejtim”, tha Vladimir Tufegxhiq, avokat i të akuzuarit Aleksandar Gjorçevski.
Dimovski në deklaratën e tij foli edhe për mënyrën se si është kryer bastisja në partinë E djathta, paraburgimi i të akuzuarit Vllatko Kishishov, si dhe mënyra se si i ka çuar deri te trupi i të vrarës Gjorçevska, detaje që i dëgjuam edhe në deklaratën e ish-kolegut të tij Muzafer Karishiq nga seanca e kaluar. Shefi i policisë gjithashtu theksoi se asnjë kamerë nuk ka kapur shkallët nga hyrja banesës së Vanjës, ndaj policia është e sigurt që ajo nuk ka lëvizur në këmbë. Lidhur me vrasjen e Pançe Zhezovskit, Dimovski tha se Velibor Manev, me prejardhje nga Velesi, i ka dërguar deri te trupi i tij, pasi Keshishov paraprakisht i kishte thënë policisë se edhe Manev ishte i përfshirë në këto vepra. Përveç Dimovskit, dëshmi të shkurtër para gjykatës dha edhe axha i nënës së Vanjës, Mitre Lazarov. Ai ka thënë se menjëherë pas ngjarjes është njoftuar se Vanja është zhdukur dhe me biçikletën e tij ka shkuar ta kërkojë në qendër të Shkupit. Duke kërkuar Vanjën, ai e ka parë Aleksandrin në makinë policie që ishte gjithashtu pjesë e kërkimit dhe në atë moment Aleksandri i ka thënë se nëse Vanja është vrarë, do të vritet edhe ai. Ai e përshkroi sjelljen e Aleksandrit si të çuditshme. Seanca e ardhshme është caktuar për më 13 nëntor./Alsat.mk