Radhë prej disa kilometrash janë krijuar këtë mesditë në pikën kufitare të Morinës, në aksin Shqipëri–Kosovë.
Krahas numrit të lartë të automjeteve, qarkullimi është ndikuar edhe nga një karroceri e djegur në Rrugën e Kombit, rreth një kilometër larg pikës kufitare të Morinës.
Mjeti ndodhet prej dy ditësh në njërën korsi të rrugës, duke ngadalësuar lëvizjen dhe duke shtuar kolonat e automjeteve.
Vonesat janë ndikuar gjithashtu nga kontrollet e mjeteve me targa të huaja dhe kufizimi i qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në rrugët e Kosovës.
Pala kosovare po punon me shtatë sportele për përpunimin e automjeteve, por fluksi i lartë vijon të krijojë pritje të gjata në një nga pikat më të ngarkuara kufitare gjatë sezonit veror. /kp/



