Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka reaguar pas padisë që PDK-ja ka bërë ndaj BIRN-it.
Hulumtimi i gazetares Jeta Xharra (BIRN) ka treguar se me paratë e taksapaguesve të Kosovës janë paguar lobistë për temën e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë.
Në lidhje me këtë hulumtim PDK-ja ka ngritur padi për shpifje.
“Padi tipike SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] në Kosovë: BIRN ka botuar storje me prova se ish-ministrja Dhurata Hoxha punësoi firmën franceze të PR-it për të lobuar për shkëmbim territoresh dhe tani PDK padit gazetaren Jeta Xharra. Nëse artikulli është i rremë, sillni kundërprova, përndryshe kjo është vetëm të heshtni gazetarët”, ka shkruar ajo në Twitter.
Edhe Qendra Europiane e Lirisë së Shtypit dhe Mediave (ECPMF) i ka dalë në mbrojtje Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe gazetares Jeta Xharra.
“ECMPF është shokuar kur ka kuptuar për një proces gjyqësor që pretendon 2 milionë euro dëmshpërblim, është ngritur kundër BIRN Kosovës. Kërcënimet ligjore janë bërë një nga kërcënimet më serioze ndaj shtypit të lirë”, thuhet në reagimin e Qendrës Europiane për Lirnë e Shtypit dhe Mediave.
ECPMF ka kërkuar nga PDK-ja dhe ish-ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, që ta tërheqin këtë proces gjyqësor të pavlerë, siç e kanë quajtur ata.
Hulumtimi i dytë gjithashtu, zbuloi se në lobim për shkëmbim territoresh ishte i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi./
Emirjeta Vllahiu, kallxom.com