“Virgjëresha shqiptare”, një film i ri që premton shumë

“The Albanian Virgin” apo “Virgjëresha shqiptare”, titullohet filmi i ri shqiptar i cili premierën botërore e shënoi në kuadër të edicionit të sivjetmë të Festivalit prestigjioz të filmit në Varshavë.

Me regji të regjisorit shqiptar, Bujar Alimani, ky projekt në rolin protagonist e sjell aktoren nga Kosova, Rina Krasniqi. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Nëpër Film”, me ç’rast ndau më shumë informata dhe hollësi rreth rolit të saj dhe filmit në përgjithësi.

“Është vërtetë një punë e madhe që e kemi bërë të gjithë si ekip dhe si produksion. Mezi kemi pritur që ta kemi premierën e filmit e aq më pak ku kjo ndodhi në një festival prestigjioz të kategorisë A, siç është festivali i Varshavës. Është një ndjenjë jashtëzakonisht përmbushëse, shumë e ngrohtë, me dashuri dhe unë ende po ndihem e emocionuar për këtë”, tha Krasniqi.

“Roli kryesor i Luanës, pra personazhi të cilin unë e luaj në film është një person aq kompleks e i thellë, dhe filmi në esenë trajton shumë çështje dualiste, njësoj sikurse transformimi i Luanës në karakter, në kontekstin e një vajze super femërore nga një fshat rural në Malësi, e cila më pas bëhet burrneshë. Në thelb filmi ngërthen në vete shumë dinamika tjera. Pra, është një histori dashurie e cila nuk mund të manifestohet në mënyrën e duhur, pastaj e kemi hakmarrjen, gjakmarrjen, familjen dhe nderin, që është gjëja kryesore dhe motivi më primarë në Kanun”, shtoi tutje aktorja.

Ndër të tjera, Rina tregoi se i gjithë ekipi para dhe prapa kamerave, e në veçanti regjisori Alimani, kanë punuar me shumë pasion për realizimin e këtij filmi.

“Bujari e ka trajtuar gjithë projektin me mish dhe shpirt njësoj edhe producentja e filmit, Anita Elsani, sepse është një projekt në të cilin kanë punuar dhjetë vjet për ta realizuar. Edhe skenaristja e filmit e cila është gjermane, Katja Kittendorf, ka bërë dhjetë vjet për ta shkruar këtë histori. Pra, për ta është një projekt i pasionit, shpirtit dhe zemrës. Prandaj kur ta besojnë një karakter të tillë i cili e ka barrën e përçimit të gjithë storjes dhe mesazhit në thelb, me të gjitha dinamikat që i ngërthen në vete, natyrisht se është një përgjegjësi e madhe”.

Përveç protagonistes Rina Krasniqi, në film luajnë edhe disa aktorë të shquar shqiptarë e kosovarë, si Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Lum Veseli, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Igli Zarka, Jonida Vokshi, Gezim Rudi dhe të tjerë.

gjithë e kemi pasur një kimi dhe një energji elitare, shumë të ngritur, të dashur dhe gjithmonë i kemi ndihmuar njëri-tjetrit, kemi bërë debate dhe bisedime të gjata për sa i përket familjeve që i luajmë në film dhe marrëdhënieve që i kemi mes vete. Pra, ka qenë një ndjenjë vërtetë fantastike”.

Në fund aktorja tregoi se rrugëtimi i filmit “Virgjëresha shqiptare” sapo ka filluar, dhe shumë shpejtë do të prezantohet edhe për filmdashësit në Kosovë.

“Në momentin kur kthehet filmi në shtëpinë e vet mezi e presim të gjithë. Është një ndjenjë krenarie dhe shumë shpejtë do ta kemi premierën e tij edhe në Kosovë. Fatkeqësisht ende nuk i di datat e sakta se kur do të ndodhë, por ajo është më shumë përgjegjësi e producentëve të cilët vendosin për këtë gjë. Por shumë shpejt do të shfaqet edhe në vendin tonë”.

Gjatë fundjavës, “Virgjëresha shqiptare”, bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës, Kosovës dhe Shqipërisë, e fitoi Çmimin Special të Jurisë në kategorinë kryesore dhe Çmimin e Jurisë Ekumenike në Festivalit ndërkombëtarë të filmit në Varshavë.

Festivali i cili sivjet e shënoi edicionin e 37-të, u mbajt në formatin tradicional nga 8 deri më 17 tetor./koha.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme