Karriera e tij shpërtheu në vitet ’60 të shekullit të kaluar, si pjesë e një brezi të ri aktorësh. 60 vjet më vonë, në heshtje po ia jep lamtumirën e fundit filmit. Bashkëbisedimin e gazetarit Xan Brooks për ditoren “the Guardian”, me legjendën e aktrimit Michael Caine, Telegrafi e sjellë si më poshtë.
Michael Caine është 88 vjeç. Ecën me bastun. Ka një këmbë të çalë dhe probleme me boshtin kurrizor. Tregon se rastet a vetme kur këto ditë e lë shtëpinë janë ato kur gruaja e tij ka kohë që ta nxjerr jashtë me makinë. Javën e kaluar ia dërguan një skenar për një karakter që ikën nga një bandë hajdutësh, dhe kjo e bëri të qeshte – ideja se ai mund ta luajë atë. “Nuk mund të eci e lëre më të vrapoj”, thotë ai. “Dhe, në një mënyrë kam mbaruar me filmat”.
Aktori flet përmes video-lidhjes nga shtëpia e tij në Sërej (hera e parë, siç thotë ai, që jep intervistë në këtë mënyrë). Ai do të duhej ta promovonte filmin e tij “Best Sellers”, rolin e mirë të autorit të vjetër dispeptik që bëhet sanzacion viral. Por, nuk e ndjen këtë; duket se ka vazhduar me planet e veta. Kur i them se kam dëgjuar se e bazoi personazhin e Harris Shawit tek një regjisor i vjetër monstruoz me të cilin dikur punonte, reagon me një injorancë totale duke thënë se nuk mund ta di se për këtë e kam fjalën. “Nuk e mbaj mend. Mund ta kem bërë. Kanë kaluar dy vjet qëkur e bëra, kështu që është qesharake të flasësh tash për të”. E pi çajin e tij. “Pastaj, jam 88 vjeç. Mendja ime nuk e kthjelltë si dikur.”
“Shih ti”, shton ai, “kjo është një tjetër gjë që duhet marrë parasysh. Dua të them se jam mirë, mirë. Por, nuk mund të ec dhe nuk mund të qëndroj shumë gjatë në këmbë, e tash nuk e di nëse kujtesa ime e shkalafitur po ikën krejt. Kam punuar me njerëz të tillë. Kam punuar me një aktor i cili i kishte të gjitha fjalët e tij të shkruara në mur, sepse nuk i mbante mend. Dhe, ka të tjerë që mbajnë kufje e që e kërkojnë suflerin ta lexojë rreshtin tjetër për të. Johnny Depp. Ai e bën këtë [Depp e thotë të kundërtën]. Nuk mbaj mend kush është tjetri. Aktor më i vjetër amerikan. Ishte shumë kohë më parë”.
Kur ndodhi mbyllja e pandemisë, Caine u përball me një zgjedhje. Ose të rrinte në shtëpi e ta shikonte televizorin gjatë gjithë ditës, ose ta shtonte një qark të ri në zinxhirin e sukseseve. Kështu që u ul dhe e shkroi një roman, një thriler – sfida e tij e parë në letërsi pas disa memoareve. Këtë vepër do ta botojë vitin e ardhshëm, meqë po e rishkruan dhe po rregullon, për ta bërë më të mirë. “Paragrafët”, thotë ai, duke qeshur. “Pikësimi, gjithçka.”
Cili është titulli dhe për çfarë bëhet fjalë?
Si djalë i ri në jug të Londrës, pasionet e tij ishin filmat dhe librat, kinemaja dhe biblioteka. E përmbylli pjesën e kinemasë, kështu që mendon se duhet t’i kthehet bibliotekës – në mënyrë metaforike meqë ndërtesa ku shkonte dikur është zhdukur prej kohësh. Herën e fundit që vizitoi ‘Elefantin dhe Kështjellën’ vërejti se ishte zëvendësuar me një bllok banesor. Por, ky është përparim, tjetra është histori. Përfshin ndryshime të mira dhe të këqija. Kur e nisi punën si aktor, për shembull, filmi dhe teatri britanik ishin ruajtës të madhështisë. “Ishte si: ‘Filani po e bën një gosti dhe të gjithë janë veshur me kostume”. Një tjetër e qeshur e shkurtër. “Pastaj u futëm ne dhe i ndryshuam të gjithat”.



