Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa ka reaguar ashpër ndaj deputetëve të AAK’së, të cilët në vitin 2016 kur kërkohej të ratifikohej marrëveshja e demarkimit kundërshtonin se po humben mbi 8 mijë hektar tokë, e tani sipas Mustafës, faji i tyre po rrezikohet të vonohet liberalizimi i vizave.
Siç thotë Mustafa, pikërisht atëherë u humb shansi, që të përmbyllej procesi i liberalizmit dhe se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe privatizimit, raporton Gazetametro.net.
‘Kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë. Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit,’ ka thënë Mustafa.
Por kryetari i LDK’së në reagimin e tij të ashpër s’përmend deputetët e partisë së tij, që kundërshtuan këtë marrëveshje, e që s’ishin pak në numër.
Sabri Hamiti, Adem Salihaj, Shpejtim Bulliqi, Armend Zemaj, Besa Gaxherri, Vjosa Osmani, Fatmir Rexhepi, Arben Gashi, Anton Quni së bashku me disa deputetë të PDK’së, u ‘rebeluan’ kur kërkohej votë për këtë marrëveshje.
Postimi i plotë i Isa Mustafës:
Kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë. Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit.
Tani , në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.
Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita,e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten. Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë; të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune. Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy./Gazetametro.ne