Gazetar: Zekirija Haxhiu
Dorëheqjen e Ilire Dautit nga funksioni kryetare e komisionit kuvendor për politikë sociale, nga koalicioni VLEN e quajnë pranim të dobësisë. Nga VLEN thonë se tani do të duhet vet të luftojnë në komision për të bllokuar ligjin për Branitellat.
“Dorëheqja është pranim i dobësisë dhe tregues i papërgjegjësisë. Sot kryetarja e komisionit për politikë sociale, demografi dhe të rinj, bashkë me Frontin Evropian, duke pranuar dorëheqjen, ata u penduan se ndihmuan bllokimin e ligjit për branitellat”, deklaroi Imërlije Saliu – VLEN.
Për Frontin Evropian, e gjithë ngjarja e sotme ishte teatër i panevojshëm nga ana e kreut të Kuvendit Afrim Gashi. Fronti Evropian ende nuk ka vendosur se kush do ta zëvendësojë Ilire Dautin, apo ndoshta përsëri do ta propozojnë atë.
“Mendoj që shumë shpejtë, ndoshta edhe sot, ne si FE do të kemi përgjigje rreth pozicionimit tonë rreth kësaj çështjeje”, tha Elmi Aziri – Fronti Evropian.
A është në lojë përsëri edhe Ilire Dauti?
Gjithçka është në lojë, megjithatë pa pasur vendim zyrtar mendoj që nuk është korrekte të interpretoj alternativa të mundshme.
Nëse ndodhë kjo, nga E Majta paralajmërojnë se përsëri do t’i ngritin interpelancë nëse e shkelë rregulloren.
“Nuk e di cila është logjika pas dhënies së dorëheqjes, të kërkojë përsëri të jetë në atë pozitë. Vetëm se ka shumicë për shkarkimin e saj të serishëm. Plenumi në fund vendosë nëse dikush do të shkarkohet apo jo. Nëse do Ilirja ta fillojmë këtë procedurë përsëri nga fillimi të votojmë mos besim atëherë në rregull”, u shpreh Sashko Jançev – E Majta.
Dorëheqja e Dautit vjen pasi të premten deputetët votuan interpelancë dhe konkluzion kundër saj. Interpelanca ishte ngritur nga e Majta. /Alsat.mk