Votimi për KÇK, Braçe, Fino e Xhafaj s’marrin pjesë. Rama në prezantimin e paketës: Kush s’e voton, përjashtohet nga Grupi i PS

Maxhoranca mundi të marrë maksimumin nga deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit në votimin për paketën anti-KÇK, kur atë e votuan pro 89 deputetë.

Ajo që ra në sy dje në Parlament ishte mungesa e zëvendëskryeministrit Erion Braçe gjatë gjithë seancës së debatit, por dhe votimi i tetë deputetëve të tjerë. Fatmir Xhafaj, Senida Mesi, Roland Xhelili, Jurgis Çyrbja, Musa Ulqini, Lindita Nikolla, Robert Bitri dhe Bashkim Fino nuk ishin dje në votim.

Zëvendëskryeministri mungoi edhe gjatë tri ditëve të zhvillimit të Kongresit të PS javën e shkuar, edhe pse vetë ai nuk e quajti bojkot të Kongresit. Një tjetër mungesë domethënëse gjatë votimit të djeshëm në radhët e socialistëve, ishte ajo e ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-kryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Xhafaj nuk mori pjesë në fund të seancës në votim, por ai u tërhoq dhe nga diskutimi i tij për aktin normativ të paketës antiKÇK. Xhafaj ishte në tetë deputetët, përfshirë dhe ministrin Lleshaj, që do të diskutonin dje në Parlament për këtë paketë. Por gjatë diskutimeve të mëparshme dhe në Komisionin e Ligjeve, zoti Xhafaj ka shprehur rezervat e tij për të mos prekur në një kohë kaq të shkurtër ligjet e Reformës në Drejtësi, pa bërë më parë një analizë dhe çfarë ka funksionuar mirë dhe ku mund të bëhen ndërhyrje e përmirësime.

“Ne jemi maxhoranca që e udhëhoqëm hartimin e Reformës në Drejtësi. Kemi përgjegjësinë historike për zbatimin e drejtë të saj. Kuvendi duhet të marrë përgjegjësitë dhe të tregojë më shumë proaktivitet në këtë mision të rëndësishëm dhe aq të mirëpritur nga qytetarët. Sot jemi të vonuar, nesër mund të jetë shumë vonë. Konstatohet një përpjekje për të ndryshuar paksa me lehtësi ligjet e Reformës në Drejtësi. Natyrisht, nuk ka tabu për këtë, sepse siç dihet, nuk ka një ligj perfekt ashtu siç nuk ka edhe një ligj çudibërës. Për më tepër, ne sot nuk vuajmë nga mungesa e ligjeve, por nga zbatimi i drejtë dhe proaktiv i tyre”, është shprehur Xhafaj në seancën e një muaji më parë në Kuvend.

Për Kryeministrin Rama, Paketa anti-KÇK është një goditje që maxhoranca do t’i japë krimit, duke u marrë atyre pasurinë e vënë përmes kësaj veprimtarie. Për rëndësinë që anti-KÇK ka për maxhorancën, ditën e prezantimit të kësaj pakete Kryeministri kërkoi votimin e saj pa kushte nga deputetët e tij. Kryeministri Rama paralajmëroi deputetët socialistë se kush nuk do ta votojë Paketën anti-KÇK, do të përjashtohet nga Grupi Parlamentar.

“Kërkoj mbështetjen e Grupit Parlamentar të PS-së për Paketën speciale anti-KÇK. Kush nuk e voton këtë paketë, përjashtohet nga Grupi Parlamentar i PS-së”, u shpreh Rama më 25 nëntor 2019, kur e prezantoi këtë paketë. Mungesa e dy deputetëve në votimin e kësaj pakete pritet që ta vërë në vështirësi Kryeministrin për të mbajtur ose jo fjalën e tij dhënë publikisht para Grupit Parlamentar, por edhe zyrtarëve të lartë të administratës publike në vend.

VOTIMI NE KUVEND 

89 pro
17 kundër
3 abstenime
Munguan në votim
Erion Braçe
Fatmir Xhafaj
Bashkim Fino
Senida Mesi
Roland Xhelili
Jurgis Çyrbja
Musa Ulqini
Lindita Nikolla
Robert Bitri

PANORAMA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme