Vrasja e 26-vjeçarit në Prizren, Prokuroria s’jep detaje për motivet që çuan në krim

Një 26 vjeçar vdiq mbrëmë në QKUK pasi nuk mundi t’i bëjë ballë plagëve që mori nga therja me thikë. Lidhur me rastin është arrestuar një person, shtetas i Turqisë, për të cilin nga Prokuroria në Prizren kanë thënë se do të kërkojnë paraburgim.

 Policia dje njoftoi se Auron Thaqi, të shtunën është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është gjetur i shtrirë në rrugë, i sulmuar me thikë nga persona të paidentifikuar. Sipas policisë ata e kanë sulmuar, e kanë hedhur nga vetura në rrugë dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Lagja Bazhderhane, Prizren  06.07.2024 – 23:50.   Viktima mashkull kosovar,  është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi që i njëjti është gjetur i shtrirë në rrugë  i  sulmuar me thikë (mjetë të mprehtë)  nga persona  ende të pa identifikuar të cilët pasi e kanë sulmuar,   nga vetura  e tyre e kanë hedhur në rrugë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti vazhdon të hetohet.”

Më pas, mbrëmë zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi konfirmoi që viktima ka vdekur.

“Sot me datë 07.07.2024 rreth orës 21:00 nga reparti intensiv i QKUK-s policia është njoftuar se viktima A.Th., mashkull, 26 vjeçar ka ndërruar jetë.”

Ndërsa sot në raportin e Policisë u bë e ditur se i dyshuari është shtetas i Turqisë.

“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Prizren / 06.07.2024 – 23:50. Në lidhje me rastin, më 07.07.2024 gjersa ishte në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë viktima mashkull Kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Për rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Zëdhënësja Fitore Mehmeti, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se i dyshuari, E.A., është në ndalim 48 orësh për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Ajo tha se brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Lidhur me motivin e ngjarjes dhe nëse ka të dyshuar tjerë, Mehmeti tha se nuk mund të japë detaje në këtë fazë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari me inicialet E.A. (shtetas turk), i cili me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. I njëjti, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të dyshuarin E.A., prokuroria brenda afatit ligjor, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Rasti është duke u hetuar nga prokuroria në bashkëpunim me policinë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera”, tha Mehmeti për Express. /GazetaExpress/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme