Xhelozia dyshohet të jetë shkak i krimit në familje në Spitallë të Durrësit, ku burri vrau me thikë gruan e tij dhe pasi u largua me makinë nga banesa u vetëmbyt në det, në plazhin “Rinia”. Mësohet se burri, Adriatik Kuka 37-vjeç ka pasur dyshime se gruaja e tij komunikonte me një tjetër burrë dhe për këtë arsye ka shkuar deri aty sa i ka kontrolluar edhe telefonin.
Në celularin e gruas Hazbije Kuka 36 vjeç e cila u vra dje me thikë ne zemër nga bashkëshorti, ku i fundit ka parë thirrje nga një numër i panjohur për të, mbi të cilat ka filluar të dyshojë se gruaja ka një lidhje jashtëmartesore dhe e tradhton.-raporton report.tv
Këtu kanë nisur sherret në familje. Aq të shpeshta saqë gruaja tre ditë para krimit, është detyruar të shkojë në policinë e Durrësit dhe të bëjë një kallëzim, se burri e kërcënon. Por në të njëjtën ditë, edhe burri i është kundërpërgjigjur me një kallëzim, duke thënë se dikush i ngacmonte gruan me mesazhe dhe telefonata në celular.
Por pavarësisht këtyre kallëzimeve dhe dijenisë që policia kishte për situatën, nuk ishte marrë asnjë masë. Dje, sherri i tyre ka kulmuar dhe Adriatik Kuka ka marrë thikën duke e qëlluar një herë në zemër gruan, në sy të djalit të vetëm 8-vjeçar. Pas krimit të rëndë, 37-vjeçari mori makinën dhe u largua, ndërsa këtë mëngjes policia e gjeti të mbytur në det, në sektorin “Rinia” në Durrës. Ai dyshohet të jetë vetëmbytur në orët e mbrëmjes.
Dyshimet janë që ai të jetë vetëvrarë në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike pas aktit të rëndë të vrasjes së bashkëshortes.
Rreth orës 07:30 të mëngjesit, policia gjeti pranë plazhit automjetin me të cilin autori u largua dje nga banesa pasi vrau gruan, në lagjen 15 të Durrësit.
Ishte djali 8-vjeçar i çiftit, i cili pasi pa skenën makabër dhe njoftoi dajën. 36-vjeçarja u dërgua në spital nga vëllai, por edhe pas ndërhyrjes së mjekëve ajo nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Gruaja kishte 2 muaj që kishte filluar punë në një çerdhe publike në lagjen numër 18.