Gazetar: Zekirija Haxhiu
Musa Xhavit i cili javën e kaluar në fshatin Batincë të Shkupit vrau një pjesëtar të Armatës së Maqedonisë së Veriut, tashmë është arratisur nga shteti.
Këtë për Alsat e konfirmuan edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga ku bëjnë të ditur se kanë shpallur fletarrest ndërkombëtar.
“Lidhur me personin për të cilin pyetni, ju njoftojmë se është shpallur fletarrest ndërkombëtar dhe po ndërmerren masa për gjetjen dhe privimin e tij nga liria”, thonw nga MPB.
Dorasi në fakt tanimë një vit po kërkohet me fletarrest ndërkombëtar për një tjetër vrasje ndërsa organet e përndjekjes në mënyrë intensive po bashkëpunojnë me vendet fqinje për gjetjen e tij. Vrasja e fundit ndodhi në hyrje të Batincës, kur me dy plumba në gjoks, la të vdekur oficerin 50 vjeçar Agim Muharremi.
Motivi i vrasjes thuhet të jetë për arsye xhelozie, respektivisht se vajza e Muharremit nuk kishte pranuar të martohet me të. Viktima dhe vajza e tij, gjatë ditës kishin qenë për kontroll mjekësor dhe derisa po ktheheshin në shtëpi, dorasi fillimisht e kishte kërcënuar në telefon e më pas u’a kishte prerë rrugën, ka dalë nga vetura dhe e ka kryer aktin. Menjëherë më pas, dorasi është vënë në arrati.
Musa Xhavit ka prapa vetes dosje të rëndë kriminale, pasi kjo është vrasja e tij e dytë brenda një viti. Edhe vitin e kaluar kishte kryer vrasje në Batincë, por policia asnjëherë nuk arriti ta gjejë. Sipas informacioneve jo zyrtare, ajo vrasje ka qenë pjesë e operacioneve të klanit “Bellanoca” që u zbardh së fundmi nga MPB. Para asaj vrasjeje, ai kishte vuajtur dënim me burg për armëmbajtje pa leje./ Alsat.mk




