Ngjarja makabre e ndodhur dy ditë më parë në Kurbin, ku Ndoc Tota vrau nusen e djalit të tij. Autori gjatë rimarrjes në pyetje nga Policia e Kurbinit ka shfaqur pendesë për krimin. 41-vjeçarja Vera Tota, nënë e dy fëmijëve, mbeti e vdekur pasi u qëllua me një levë hekuri pas një debati me vjehrrin e saj, shkruan ‘Panorama’.
Vera Tota
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në fshatin Zhejë të Kurbinit, pasi askush ende nuk e kupton se si konflikti vjehërr-nuse arriti deri në vrasje. Autori i vrasjes së saj, Ndoc Tota, në dëshminë e tij para grupit hetimor ka pretenduar se marrëdhënia e tyre ishte konfliktuale, që lidhej me mungesën e përkujdesjes së treguar nga nusja e djalit për dy prindërit e moshuar të burrit të saj.
Nëna e dy fëmijëve mbeti e vdekur të mërkurën rreth orës 05:00 të mëngjesit. 75-vjeçari u largua nga banesa pas ngjarjes, ndërsa u arrestua nga forcat e policisë dy orë më pas, në kushte të rënduara psikologjike në një zonë të pyllëzuar.
Trupi i pajetë i 41- vjeçares u gjet në oborrin e banesës së familjes Tota nga burri i saj, që sapo ishte kthyer nga puna, si roje nate. Ndonëse Ndoc Tota pretendon për konflikte të herëpashershme, policia nga ana e saj thotë se nuk ka pasur asnjë denoncim për një fakt të tillë.
Por, kjo konfirmohet edhe nga fqinjët, të cilët shprehen se mes viktimës dhe dy prindërve të bashkëshortit të saj kishte pasur konflikte të vazhdueshme dhe dhunë, ndonëse viktima ishte fjalë- pak.
Ndërsa familjarët e viktimës, në dëshminë e tyre shkojnë më tej, duke thënë se 41- vjeçarja ishte viktimë e dhunës sistematike nga vjehrri dhe vjehrra. Madje, ata rrëfejnë se viktima me bashkëshorti ishin larguar me shtëpi me qira në Laç, por tre muaj më parë ata ishin rikthyer, sepse nuk kishte kush të kujdesej për dy prindërit e moshuar të bashkëshortit të saj, shkruan “Panorama”.
Nga ana tjetër, autori ka shfaqur pendesë për vrasjen duke thënë se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër dhe se me goditjen me levë nuk ka pasur si qëllim ta vriste. Pas ekspertizës së kryer, bëhet e ditur se vdekja e Vera Totës ka ardhur nga goditjet e forta në kokë me levën e hekurit.
41-vjeçarja ishte rikthyer pak kohë më parë në fshatin Zhejë, pasi nuk kishte kush të përkujdesej për dy prindërit e moshuar të bashkëshortit të saj, pasi ishin zhvendosur për të jetuar në qytetin e Laçit.
Por, marrëdhëniet mes saj dhe prindërve të bashkëshortit duket se nuk kanë shkuar siç duhet, duke bërë që gjithçka të përfundojë me vrasjen e saj. 41-vjeçarja që mbeti e vdekur nga dhuna e babait të bashkëshortit të saj mësohet se ishte gruaja e tretë e Arben Totës.
Nga dëshmitë e fqinjëve të familjes në Zhejë, mësohet se marrëdhëniet e vështira mes prindërve të tij dhe dy bashkëshorteve të para të tij kishte bërë që ato ta braktisnin 45- vjeçarin Tota. Sipas fqinjëve, dy nuset e para, por edhe e fundit që mbeti viktimë, kanë rënë pre e dhunës së ushtruar nga dy prindërit e moshuar.