Përderisa ishte në lëvizje me veturë, në drejtim të tij u shkrepën dy plumba. Arma e zjarrit i shkaktoi plagë të papërballueshme 27 vjeçarit Abid Jasharaj. Babai i tre fëmijëve ndërroi jetë në vendin e ngjarjes rreth orës 11:30 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, tha ekipi mjekësor.
Për vrasjen që ndodhi në pikë të ditës në kryeqytet nuk është arrestuar ende asnjë njeri. Policia tha se po punon në sqarimin e të gjitha rrethanave se si ndodhi vrasja. Madje, këta dhanë edhe një njoftim për media ku u përshkrua mënyra se si humbi jetën i riu në kryeqytet.
“Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit është plagosur një person, derisa po qarkullonte me veturën e tij në rrugën e sipërshënuar. I njëjti nuk i ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe në vend ngjarje ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës : A. J. , mashkull, shtetas i Republikës se Kosovës, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha policia.