Të paktën 26 palestinezë, përfshirë fëmijë, janë vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës që nga orët e mëngjesit, raporton Anadolu.
Sipas burimeve spitalore dhe dëshmitarëve okularë, Izraeli shënjestroi shtëpitë dhe tendat palestineze në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë sulmeve të tij.
Ushtria izraelite bombardoi shtëpinë e një familjeje palestineze në kampin e refugjatëve “Shati”, në perëndim të qytetit të Gazës. Shumë njerëz në ndërtesën ku shpërtheu zjarri pas sulmit si dhe në ndërtesat ngjitur dhe tendat përreth, u vranë dhe u plagosën.
Sipas njoftimeve fillestare, 10 persona, përfshirë 5 fëmijë, humbën jetën dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën në sulm.
– Tre shtëpi të bombarduara në pjesën qendrore të Rripit të Gazës
Ushtria izraelite bombardoi tre shtëpi palestineze në qytetin Deir Balakh në Rripin qendror të Gazës dhe në kampet e refugjatëve Bureyj dhe Nusairat.
Katër palestinezë, përfshirë një baba dhe djalin e tij, humbën jetën në sulm.
– Tendat që strehonin civilët në jug të Rripit të Gazës u bombarduan
Ushtria izraelite gjithashtu shënjestroi me një mjet ajror pa pilot (UAV) tendat që strehonin palestinezë të zhvendosur pranë kryqëzimit Attar në perëndim të Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Dhjetë palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulm.
Dy palestinezë u vranë në një sulm të ushtrisë izraelite që synonte një tendë në zonën Nemsavi në perëndim të qytetit Khan Younis.