Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se është “shumë i brengosur për shkak të zhvillimit të situatës në Kosovë” dhe ka pretenduar se “çdo përpjekje për “shfuqizimin” e Listës Serbe mund të lë pasoja katastrofale për marrëdhëniet e serbëve dhe shqiptarëve”.
Me rastin e vizitës së kryetares së Këshillit të Kuvendit të Rusisë Valentina Matviyenko në Beograd, Vuçiq ka thënë se “Lista Serbe ka fituar 96 për qind të votave të serbëve në zgjedhjet e Kosovës” dhe i ka akuzuar shqiptarët se “kanë trilluar njëfarë tregimi për helmim nga plikot me votat nga Serbia”.
“Kjo do të krijojë pasoja katastrofale për marrëdhëniet në mes të serbëve dhe shqiptarëve sepse nuk do të ketë më serbë nëpër institucione. Dhe kur nuk ka serbë në institucione, ju e dini se ku do të jenë pastaj dhe si do ta mbrojnë lirinë e tyre”, ka kërcënuar Vuçiq.
Ai ka vazhduar duke pretenduar se “Beogradi i ka lutur partnerët perëndimorë që të jenë të arsyeshëm dhe mos i ndihmojnë shqiptarët në këto, siç është shprehur, “qëllime të sëmura, sepse në të kundërtën po i afrohemi katastrofës”.
“Përndryshe, gjithë çfarë kanë punuar, kanë punuar së bashku me shqiptarët me qëllim të shkatërrimit të Listës Serbe. Kjo është brengë e madhe për ne”, ka thënë Vuçiq.