Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një adresim publik për qytetarët e këtij vendi ka përkujtuar, pa ia përmendur emrin, Referendumin për pavarësinë e Kosovës mbajtur në shtatorin e vitit 1991, transmeton Koha.net.
Ai, si përcjell rts, ka thënë se 99 për qind e shqiptarëve në Kosovë kanë votuar për Kosovë të pavarur dhe kundër interesave serbe.
Në vazhdim, kryetari serb ka thënë se në Kosovë jetojnë ndërmjet 6 e 8 për qind serbë.
Ai e ka përkrahur hyrjen e Listës Srpska në Qeverinë e Kosovës, ka akuzuar serbët që e sulmojnë këtë Listë për këtë hap të saj dhe ka theksuar se nuk është reale të pritet që partitë shqiptare ta ndryshojnë skenën politike.
Vuçiq ka shtuar se vetëm shtatë shtete e kanë njohur Kosovën qëkur ishte bërë kryeministër.
Duke folur për temën e dialogut për Kosovën Vuçiq ka thënë:
“Unë jam betuar në Kushtetutë dhe atë do ta respektoj, porse dua t`iu them të gjithëve që nuk dinë ta shohin realitetin se nuk janë kurrfarë patriotësh, porse janë luftëtarë të interesave serbe ata që kanë guxim ta thonë të vërtetën”.
Ai i ka falënderuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të cilët, ka thënë ai, e ruajnë Serbinë në Kosovë.
“Nuk dua të ik, nuk dua të fshihem nga askush, por duhet të themi se çfarë do të bëjmë me planet tona për Kosovën dhe për këtë na duhet marrëveshje sa më e gjerë dhe duhet t`i përkushtohemi asaj e të mos jetojmë si në periudhën para 300 vjetësh”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se nëse duam të jetojmë si para 300 vjetësh, të shohim se çfarë na kishte takuar në atë kohë në pjesët tjera të Serbisë”.