Vuçiq i lut autoritetet në Kosovë të mos e padisin Serbinë për gjenocid

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka porositur autoritetet në Kosovë duke i lutur që të mos e padisin Serbinë për gjenocid. Ai tha se ndërkombëtarët që po deklarohen se janë kundër ndryshimit të kufijve nuk e thonë të vërtetën, sepse pikërisht ata janë për ndryshim kufijsh, por vetëm të Serbisë.

“Padinë kundër Serbisë për gjenocid, mund ta bëni vetëm përmes një shteti tjetër, Shqipërisë. Kjo do të nënkuptonte fillimin de facto të bashkimit me Shqipërinë. Unë ju paralajmëroj dhe ju lutem mos e bëni këtë”, theksoi Vuçiq, për “TV Pink”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre që, siç thotë ai, ende po përkundin dhe shikojnë Prishtinën si fëmijën e tyre, të mos e bëjnë atë, transmeton Telegrafi.

Vuçiq vuri në dukje se, “ndërkombëtarët që thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, nuk po thonë të vërtetën, sepse ata në të vërtetë janë në favor të ndryshimit të kufijve”.

“Gënjejnë hapur, ata janë vetëm për ndryshimin e kufijve të Serbisë. Sa herë që ata thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, unë them ‘ti je edhe një hipokrit tjetër që dëshiron të ndryshojë kufijtë që u arrit me forcë kur kishim një qeveri të paaftë në Serbi’. Thoni se jeni kundër ndryshimit të kufijve, kurse  në Kosovë e justifikoni atë me kinse një katastrofë humanitare. A nuk ishte një katastrofë më e madhe në Irak, pse atëherë nuk e ndatë Basrën nga Bagdadi?”, tha ai, duke shtuar se kjo flet vetëm për hipokrizinë e atyre.

Siç tha ai, kur shtron pyetjen – se pse disa kanë të drejtë të vetëvendosjes dhe të tjerët jo – ata, siç tha ai, i thonë, se duhet të shikojë për të zhvilluar ekonominë [e Serbisë].

“Çfarë do të ishte një Serbi e suksesshme në interesin e tyre? Për Evropën një Serbi e suksesshme është Serbia pa Kosovën. Prandaj ata [Kosova] janë kundër Mini Schengenit, kundër politikës ‘Ballkani ballkanasve’. Ata gjithmonë duan t’i ngrenë të tjerët kundër nesh, në mënyrë që Serbia të mos jetë e  fortë, të  mos jetë dominuese”, përfundoi Vuçiq. /Telegrafi/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme