Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit serbë në Mitrovicën e Veriut, ka porositur serbët lokalë që të angazhohen për paqe dhe jo për zgjidhje të armëve, duke thënë se më mirë është që të bisedohet sesa të shkrepen plumba.
Një grup serbësh, të pranishëm në sallë, në fillim të konferencës bërtitën me zë të lartë për të kërkuar ndihmë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
“Presidenti, na ndihmon. Ne jemi fajtorë që jemi serbë. Shpresojmë për ndihmën tuaj. A mund të garantoni siguri dhe mbijetesë këtu? Kush do të na ndihmojë?”, ishte kjo thirrja e disa njerëzve të mbledhur, të cilëve Vuçiq iu përgjigj se Serbia do të bëjë gjithçka që ata të mos kenë frikë dhe të mos qajnë kurrë.
Presidenti Vuçiq tha se nuk mund të pajtohet me të gjithë ata që ka dëgjuar të flasin në Mitrovicën e Veriut dhe tha se interesi më i rëndësishëm dhe më i madh i serbëve në Kosovë është ruajtja e paqes.
“Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të terrorit pas vrasjes së tmerrshme të Oliver Ivanoviqit, kemi biseduar në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit, respektimin e Rezolutës 1244… Kërkesat që Serbia të japë armë. Por përgjigja ime është se unë shpresoj se Serbia do të japë para për kopshte, shkolla, spitale…”, ka thënë Vuçiq, i cili është ndërprerë nga thirrjet e serbëve, duke thënë se kërkesat e tyre janë bërë për mbrojtjen e Mitrovicës.
Pas kësaj Vuçiq ka vazhduar sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndonëse jo me disponim të mirë, ka thënë se Serbia është e interesuar në shkëmbimin e informacioneve lidhur me hetimet për Ivanoviq, por për këtë nuk ka pranuar pala kosovare.
Ai tha se pavarësisht se kush është autor i vrasjes së politikanit serb, nuk do të ketë mëshirë ndaj tyre, qofshin ata edhe serbë, apo të huaj.
“Unë nuk mund të pajtohem me të gjithë. Unë mendoj dhe këtë e them për shkak të serbëve. Interesi më i lartë i serbëve është paqja, të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në vatrat e tyre dhe të keni ardhmëri për ju dhe për fëmijët tuaj. Ne, gjithashtu, diskutuam për krijimin e unitetit, besimit dhe respektit në mesin e serbëve, dhe këtu në veri, por edhe kudo. Ne do të lejojmë që institucionet e Prishtinës, ashtu sikur ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, që të dëshmojnë se çfarë do të bëjnë. Dëshirojmë të shkëmbejmë informacionet lidhur me hetimet për vrasje, na vjen keq që kjo nuk ka ndodhur. Kemi shqyrtuar si të ndihmojmë që ky rast të zgjidhet… Sa i përket Serbisë, për neve nuk është e rëndësishme çfarëdo është emri i vrasësit, nëse është serb, shqiptar i apo ndonjë të huaji… Ndaj kryerësve të vrasjes nuk do të ketë mëshirë”, tha ai, raporton Kosovapress.
Vuçiq gjithashtu pasqyroi situatën aktuale në veri të Kosovës, ku shumica e oficerëve të policisë, siç kujton ai, janë të nacionalitetit serb.
“Politika jonë duhet të jetë politikë e paqes me shqiptarët, dhe s’është me rëndësi çfarë bëjnë mediat dhe politikanët e tyre, këtë e kuptoj mirë”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka akuzuar Prishtinën se nuk ka përmbushur asnjë nga obligimet e Brukselit, derisa sipas tij Beogradi ka përmbushur të gjitha. Ai ka shfaqur besimin se kur të vijë herën tjetër, të mos e ketë të vështirë dhe të pakëndshme, por të punojnë diçka me të cilën do të jenë krenarë.
“Jam i lumtur që jam tani në rrugë, pavarësisht kiametit, është parë një numër i madh. Kjo është shtëpia juaj e vetme dhe nuk dëshirojmë t’i braktisni. Ju lutem mos qani dhe të qëndroni, dhe që neve të na lini t’i zgjidhim gjërat me politikë dhe bisedime, jo me armë. Unë kam biseduar me Thaçin, dikush me Haradinajn, më mirë se të ishte shkrepur ndonjë plumb. Mos qani”, tha ai.
Pas takimit, presidenti i Serbisë do të vizitojë Graçanicën dhe Llaple Selon.