Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk po sheh mundësi për ndonjë përparim që do të çonte në arritjen e një kompromisi për targat, pasi sipas tij, kryeministri Kurti nuk është i gatshëm për kompromise.
Ai ka folur në prag të 1 shtatorit, kur do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndërrim të targave ilegale që Serbia i ka lëshuar në emër të qyteteve të Kosovës.
“Kurti është i bindur se do të jetë i suksesshëm. Është një proces që do të vazhdojë. Sigurisht që jemi duke u përballur me atë problem, por duhet të shohim. Pres vizita dhe bisedime të rëndësishme pas samitit të Ballkanit të Hapur, Erdogani do të vijë. Në për momentin, nuk shoh ndonjë mundësi për përparim, sepse nuk shoh dëshirë nga ana e Prishtinës për të arritur një kompromis”, tha ai, përcjell “B92”.
Këto komente Vuçiqi i bëri të martën, kur në Beograd priti dhe nderoi me medalje ministrin e Punëve të Jashtme të Kubës, Bruno Eduardo Rodriguez Parrilla.
Vuçiqi e falënderoi atë, për siç tha, respektim të së drejtës ndërkombëtare në rastin e Kosovës. Kuba ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ne po përballemi edhe me presion për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe e dimë që kjo nuk sjell asgjë të mirë. Vetë ishim viktimë e tyre. Kur i keni të gjitha këto, skena politike bëhet më ekstreme”, ka shtuar ai.