Vuçiqi i dorëzon Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën

Në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, në rend dite është procesi i negociatave me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Pika e vetme e rendit të ditës në këtë seancë është raporti për negociatat e mbajtura përgjatë një viti.

Bëhet fjalë për raportin e Qeverisë së Serbisë për rrjedhën e procesit të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të vitit 2022.

Ligjvënësve u është drejtuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kur diçka është e dhimbshme për kombin, atëherë duhet të ketë qasje me përgjegjësi… Të paktën për këtë çështje të vetme t’i tejkalojmë dallimet partiake dhe interesat partikulare”, tha Vuçiq në fillim të fjalimit të tij, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Serbisë.

Ai theksoi se Kuvendi është “vendi i duhur ku mund të diskutohet thellësisht për çështjen e Kosovës”.

Vuçiq, gjithashtu, tha se duhet bërë dallimin mes “realitetit dhe mundësisë, kapacitetit për të luftuar si shtet dhe komb për atë që themi se është më e rëndësishme për ne”, duke shtuar se “politika reale nuk mund të mbështetet në mite dhe fantazmagori”.

Siç tha ai, detyra jonë është që në Kosovë “të gjejmë jetë për serbët dhe asgjë më pak jetë për shqiptarët” dhe se kjo është “e vështirë”.

Vuçiq merr pjesë në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Serbia dhe Kosova po zhvillojnë një dialog për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Ky proces duhet të nxjerrë si rezultat një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Në seancën e Kuvendit të Serbisë janë të pranishëm edhe anëtarët e Listës Serbe – partia e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit – kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe përfaqësuesit e serbëve në Kuvendin e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme