Lëvizja Vetëvendosje e ka përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë Mimoza Kusari-Lilën, e cila është duke u hetuar për dëmtimin milionësh të shtetit në rastin e privatizimit të dyshimtë të katër hidrocentraleve.
Kusari-Lila, e cila prej tre vitesh udhëheq partinë Alternativa, është përfshirë në listën prej 110 kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 6 tetorit.
Në vitin 2013, Mimoza Kusari-Lila kishte qenë pjesë e Komitetit të Privatizimit, i cili udhëhoqi procesin e privatizimit të Kompanisë për Distribuimin dhe Furnizimin me Energji elektrike (KEDS), e cila drejtohet nga kompania turke “Çalik Holding”.
Ky komitet kishte vendosur që në bashkëpunim me KEDS të privatizoheshin katër hidrocentrale në Kosovë.
Shitja e katër hidrocentraleve për Koorporatën Energjetike të Distribuimit të Energjisë (KEDS) në vitin 2013, dyshohet se i ka shkaktuar dëme Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale e Kosovës, para rreth dy viteve, nxori një aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Mimoza Kusari-Lilës dhe katër ish-ministrave të tjerë të Qeverisë së Kosovës.
Përfshirja e katër hidrocentraleve në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.
Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in janë: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.
Lajmin për hetimin e pesë ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës, lidhur me procesin e privatizimit të KEDS-it, e ka konfirmuar gjatë vitit 2018 edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Disa muaj më parë, zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu kishte konfirmuar për Insajderin se Kusari-Lila vazhdon të jetë nën hetime për këtë rast. Kishte thënë se nuk mund të jepnin informacione, në mënyrë që të mos i pengonin hetimet.