VV-ja do festë për 28 nëntor – edhe komunitetet kërkojnë që festat e tyre të zyrtarizohen

Zvogëlimi i festave zyrtare ishte ideja për nisjen e punës së plotësim-ndryshimit të Ligjit për Festat Zyrtare. Por duket se kërkesat janë të kundërta.

Më 24 qershor shënohet “Dita e Egjiptianëve të Ballkanit”. E me nisjen e ndryshimit të Ligjit, ky komunitet në Kosovë, po kërkon futjen e kësaj dite në kalendarin e festave shtetërore, raporton KTV.

Këtë kërkesë në komisionin punës, zyrtarisht e ka paraqitur, deputeti Veton Berisha. Ai është i bindur se ky propozim do të aprovohet, edhe pse ndryshimi i këtij ligji kërkon të paktën 2/3 e votave të dyfishta.

Në komisionin që ka nisur punën në shkurt të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që edhe “28 nëntori” të jetë festë shtetërore.

Kohë më parë, ishte kërkuar që “Dita e Evropës”, që festohet më 9 maj, e që është festë shtetërore në Kosovë, të hiqet nga ky kalendar. Kjo ide përkrahet edhe nga Vetëvendosja, e cila beson se nuk ka arsye që kjo ditë të jetë festë zyrtare, të paktën jo përderisa Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, KTV-ja merr vesh se edhe komuniteti serb dhe disa të tjera kanë kërkuar që festat e tyre kombëtare të jenë pjesë e kalendarit të festave. Por, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, i ka thënë televizionit se zyrtarisht ende nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga Ministria e Administratës Publike lidhur me festat zyrtare.

 

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme