VV: Serbët kosovarë mësojnë se Kosova është krahinë e shqiptarët armiq të Serbisë

Grupi Parlamentar me mbështetje të Komitetit për Arsim dhe Kërkim Shkencor në Lëvizjen Vetëvendosje mbajtën sot debat në Kuvendin e Kosovës me temën “Kurrikula shkollore për nxënësit e komunitetit serb në Kosovë”, ku morën pjesë deputetë, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, ekspertë të arsimit e përfaqësues të tjerë, transmeton Koha.net.

Deputeti i smajl Kurteshi, theksoi që sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Ministria i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është përgjegjëse për çështje të arsimit në tërë Kosovë, por një gjë e tillë nuk respektohet në shkollat me mësim në gjuhën serbe. “Në këto shkolla punohet me kurrikulë serbe, tekstet shkollore shtypen në Serbi dhe në ato tekste nxënësit mësojnë se Kosova është krahinë e Serbisë dhe shqiptarët armiq të Serbisë”, tha midis të tjerash Kurteshi.

Po ashtu ai solli në vëmendje se dhe Komisioni i Pavarur për rishqyrtimin e teksteve nga Serbia ka konkluduar zyrtarisht që në 2010-tën se këto tekste janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe se po ashtu vërehen edhe dallime të shumta në kurrikulë dhe strukturë arsimore. Me këtë rast sqaroi se Kosova punon me sistemin 5+4+3 e Serbia ende me sistemin 4+4+4. Edhe pse nuk këto shpërputhje e shkelje të rënda ende nuk është ndërmarrë asgjë nga Ministria e Arsimit ose të paktën zyrtarisht nuk është komunikuar asgjë.

Deputeti tjetër, Prof. Mytaher Haskuka në këtë debat ngriti çështjen e arsimit universitar në gjuhën serbe në Kosovë. Ai theksoi se në Kosovë edhe arsimi universitar është bërë sinonim i ndarjes e jo i përbashkimit, duke shtuar se Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë figuron si ”Universiteti i Prishtinës në Kosovska Mitrovicë” dhe është themeluar nga Parlamenti i Republikës së Serbisë, e po ashtu financohet nga Republika e Serbisë.

“Për më shumë, ky universitet për dallim nga universitet publike të Kosovës nuk i nënshtrohet fare licensimit nga MASHT-i dhe akreditohet nga Republika e Serbisë”, theksoi Prof. Haskuka.
Ndër të tjera ai tha se formimi i “Zajednicës” do ta legalizonte moszbatimin e ligjit në fuqi dhe do ta përkeqësonte tutjen gjendje, teksa një universitet në Mitrovcë do të mund të ishte flakadani i perspektivës për zhvillimin e rajonit.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, paraqiti normat ligjore në fuqi dhe prezantoi të dhënat e gjendjen për shkollën “Dimitrie Prica” në Bernicë, e cila punon me kurrikulë të Serbisë. Sipas Nagavcit, deri më tani nuk ka pasur ndonjë veprim konkret si inspektim apo inicim të procedurave disiplinore për mosrespektim të kurrikulës apo kërkesë për mësim shtesë në shkollat e minoritetit serbë ku nuk respektohet kurrikulumi. Ministria, tha ajo, ka dështuar krejtësisht në realizimin e detyrimeve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga shkollat ku mësojnë serbët në Republikën e Kosovës.

Shqetësime ngriti edhe Prof. Halim Hyseni, i cili kërkoi përgjegjësi për mosrespektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. “Sistemi i arsimit në Serbi është i organizuar për qëllime ekspasioniste. Fëmijët serbë janë viktima, sepse ata edukohen në frymën se si ta urrejnë kombin shqiptar”, theksoi ndër të tjera profesori Halim Hyseni, i cili shprehu shqetësimin për mosveprimin e Qeverisë së Kosovës.

Eksperti i fushës së edukimit, Jusuf Thaçi, kërkoi zbatueshmëri të Kushtetutës dhe ligjeve sa i takon kurrikulave dhe përmbajtjes së teksteve. Si dhe studiuesi Shkëlzen Gashi, i cili kërkoi nga deputetët që t’i kushtojnë fillimisht rëndësi teksteve mësimore të kurrikulës së Kosovës, të cilat i quajti po ashtu skandaloze.

Në këtë debat prezantuan qëndrimet e tyre dhe deputetet Teuta Haxhiu nga AAK dhe Shukrije Bytyçi nga NISMA.
Në këtë debat morën pjesë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës, në mesin e të cilëve Xhelal Memeti, zv. Kryetar i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafi nga Kuvendi Komunal i Bujanocit, Ragmi Mustafa, kryetar i PDSH-së në Preshevë dhe profesori i gjuhës shqipe Enkel Rexhepi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme