Weber: Dialogu Kosovë-Serbi do t’i kthehet BE’së, presioni amerikan nuk çon askund

Eksperti gjerman dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka folur rreth zhvillimeve te fundit politike në Kosovë, rrëzimit të Qeverisë në pikun e pandemisë dhe mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi shpejt.

Weber thotë se nuk mund të pritet arritje e një marrëveshjeje Prishtinë-Beograd së shpejti, meqë sipas tij s’ka pasur vazhdim negociatash dhe situata me COVID-19 do të prolongojë procesin meqë liderët shtetërorë s’do të jenë në gjendje të udhëtojnë e të takohen.

Megjithatë, ai thotë se kur të marrë fund kriza me koronavirusin, do të shihet që presioni amerikan nuk do të çojë askund dhe se procesi i dialogut do t’i kthehet Bashkimit Evropian.

“Kur situata me krizën e koronës të marrë fund, ne do të shohim shumë shpejt se presioni aktual i Amerikës nuk do të çojë askund, përveç që ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm të reputacionit të SHBA’së në Kosovë dhe në raportet ndër-partiake dhe në kulturën politike në Kosovë. Procesi do t’i kthehet Evropës, Bashkimit Evropian”, ka thënë Weber për Express.

I pyetur nëse Kosova do të braktisë Bashkimin Evropian dhe nëse do të punojë vetëm me SHBA’në sa i përket dialogut, Weber thotë se një gjë e tillë s’do të ndodhë meqë potencon se administrata aktuale amerikane s’ka çfarë t’i ofrojë as Kosovës e as Serbisë.

“SHBA, veçanërisht kjo administratë, nuk ka asgjë për t’i ofruar Kosovës (dhe Serbisë), që mund të çojë në një marrëveshje vërtet gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme”, ka thënë Weber për Express. Ai tutje pyet nëse SHBA do të mund t’i ofrojë Kosovës që të bëhet shteti i 51’të, ndërkohë thotë se investimet amerikane mund të krahasohen me përfitimet ekonomike që mund të ketë Kosova nga integrimi në Bashkimin Evropian. Sipas ekspertit gjerman, s’ka dikush që beson se SHBA’ja do të mund ta zëvendësojë Bashkimin Evropian.

Eksperti gjerman tutje ka thënë se për të, deklarata e fundit e Grenellit, Palmerit dhe Kosnettit rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve nuk është garancë se territori i Kosovës do të mbetet i paprekur.

“Jo për mua. A bëhet më bindëse që Grenell, tashmë kur ai dhe bashkë me kolegët e tij po e ndiejnë të nxehtin e veprimeve të veta, thonë se ai nuk është në favor të shkëmbimit të territoreve? Jo për mua”, shprehet Weber i pyetur edhe rreth deklarimeve të mbrëmshme të Grenellit në T7.

Sa i përket politikës së Kosovës përballë Bashkimit Evropian, Weber thotë se një e tillë është instrumentalizuar në mënyrë të hapur nga presidenti Thaçi, për të cilin ai thotë se edhe e ka shpallur njëanshëm të vdekur perspektivën Evropiane.

“Pastër e instrumentalizuar nga presidenti Thaçi, i cili në mënyrë të njëanshme deklaroi të vdekur perspektivën Evropiane të Kosovës, e pranuar edhe nga forcat politike që u bënë bashkë për të rrëzuar qeverinë. Në fund, unë s’mund që fillimisht t’i kritikojë elitat politike në Kosovë për këtë. Është në përgjegjësinë e BE’së që nuk ka demonstruar lidership të mjaftueshëm rreth Kosovës e Serbisë në muajt e fundit kundër veprimeve të z.Grenell, mos të flasim për liberalizimin e vizave, një performancë vetëvrasëse e BE’së karshi Kosovës”, potencon Weber.

Megjithatë ai thotë se është i bindur që ky episod i mërzitshëm do të shërbejë për BE’në s’i një thirrje për t’u zgjuar. Weber thotë se pavarësisht kësaj, pyetja më e rëndësishme nuk është nëse elitat politike kanë mbrojtur SHBA’në apo BE’në, por nëse ato kanë mbrojtur interesin e shtetit dhe qytetarëve.

Tutje eksperti gjerman shpreh shqetësimin e tij për kohët që do të vijnë dhe komplikimet që do të sjellë rrëzimi i qeverisë Kurti në të ardhmen. Ai tutje përmend edhe faktin që Gjermania dhe Franca nuk vepruan s’fundi për interes të ndonjë partie politike, por thotë se në mënyrë parimore vendosën interesin e popullit të Kosovës në rend të parë për të pasur një qeveri funksionale në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.

“Cilat ishin parimet që administrata e Trumpit mbrojti në Kosovë javët e fundit?”, pyet Weber.

Në fund, Weber ka folur rreth marrëveshjes ‘sekrete’ dhe rreth asaj nëse Kurti ka gabuar kur ka zgjedhur t’iu besojë thashethemeve për ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë.

Weber thotë se është e rëndësishme të dihet nëse ekziston edhe fizikisht një marrëveshje e tillë, ndërkohë thotë se Thaçi e Vuçiqi kanë negociuar në mënyrë sekrete me Grenellin njëjtë siç kishte bërë Federica Mogerini.

Sipas tij, nëse nuk do të ishte për çështjen e shkëmbimit të territoreve, atëherë Grenelli nuk do të kishte arsye që të përjashtonte Gjermaninë e Merkelin, pasi kjo e fundit është mbështetësja më e madhe e një procesi të dialogut ku do të ruhej integriteti territorial i Kosovës.

“Është e rëndësishme nëse ekziston fizikisht një marrëveshje sekrete ose jo? Më shumë se një vit e gjysmë më parë presidentët Thaçi e Vuçiq treguan interesin e tyre për një marrëveshje me shkëmbim territoresh që u mbështet pastaj nga shefja e politikës së BE’së Mogherini, pasi ishte negociuar në mënyrë sekrete për një vit. Pas kësaj, të dy presidentët në tetorin e vitit të kaluar humbën aleancën me BE’në dhe filluan të negociojnë me të dërguarin e SHBA’së, Grenell, në mënyrë të njëjtë – sekrete – siç kishte bërë Mogherini më herët. Pse Grenelil do ta përjashtonte BE’në, Gjermaninë, kancelaren Merkel, mbështetësen më të madhe nga Perëndimi për arritjen e një marrëveshjeje që do të bazohej në integritetin territorial të Kosovës, nëse nuk do të ishte për një marrëveshje me shkëmbim territoresh? Cili do të ishte qëllimi i dy presidentëve për të përjashtuar BE’në, nëse ata vërtetë janë dorëzuar sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve”, ka përfunduar Bodo Weber./GazetaExpress/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme