(W)Estern 2025

NGA LUÇIANO BOÇI


FANJA (I MIRI), KAMBALJA (I KEQI) dhe TIMONIERI (I SHËMTUARI)

Në historinë e kinemasë, “I miri, i keqi dhe i shëmtuari” është një ekranizim hollivudian për lakminë, dredhinë dhe moralin e turbullt në kohë lufte.  Në Shqipërinë e vitit 2025, ky skenar nuk është fantazi. Është realitet politik dhe mediatik. Skena nuk zhvillohet në perëndimin e largët, por në Tiranë.

Dhe thesari nuk është ar i varrosur, por liria e fjalës dhe e drejtës për informim. Të tre figurat protagoniste janë të qarta.

I MIRI Fanja (Irfan Hysenbelliu, pronari i News24)!  Si “i miri” i Leone-s Blondi, Fanja qëndron në këtë përplasje në anën e së vërtetës, edhe pse e di se kjo rrugë të bën shënjestër të pushtetit.

Ai nuk është thjesht pronar i një televizioni, por garanti i një hapësire ku gazetaria investigative, si ajo e Klodiana Lalës e Osman Stafës dhe personaliteteve gazetareske që punojnë aty, të mund të zhvillohet pa censurë të plotë.

Si biznesmen me instikt të pakundershtueshëm “i miri” kërkon “fitimin” e tij të lidhur ngushtë me median e fjalën.

Megjithë dritë-hijet interpretative të financave, pagave për gazetarët e debateve të yshtura për proněn publike, në momentin kur sinjali i News24 u ndërpre, ai u bë, duan s’duan kundërshtarët apo simpatizantet e tij, simbol i rezistencës ndaj një shteti që po përdor forcën e tij për të mbytur fjalën e lirë.

I KEQI ose Kambalja (Ardi Veliu) Si Angel Eyes, “Kambalja” nuk pyet për ligje, procedura apo moral.

Ai zbret nga kali me kamionë të ndërmarrjes ushtarake KAYO dhe hyn në territorin e medias si në një bastisje të armatosur. Misioni i tij nuk është drejtësia. Aspak.  Misioni i tij është ekzekutimi i një urdhri politik për të pushtuar dhe shuar një zë të ekuilibruar mediatik që bezdis pushtetin.

Në këtë skenar, ai është koburja e Ramës, ai që bën punet e pista si dikur drejtor policie, me qëllim-urdhër të qartë:

të marrë kontrollin mbi NEWS24 dhe të rrëmbejë “thesarin”, dosjet dhe të dhënat e gazetarëve.

I SHËMTUARI  alias Timonieri (Edi Rama)  Në versionin shqiptar, “i shëmtuari” nuk është një vagabond që kërkon ar, por një mafioz tipik politik, lideri i vendit që ka ngritur një aparat të tërë dhune për të kontrolluar e zbatuar narrativën e axhendën personale për kontroll total të medias.

Edi Rama është skenaristi i kësaj loje. Është ai që vendos objektivin, zgjedh ekzekutorin dhe e mbështet aksionin me heshtje zyrtare dhe propagandë publike.

Ashtu si Tuco në film, ai është i shkathtë në manovrim, por gjithmonë udhëhiqet nga interesi personal.

Dhe interesi i tij është që asnjë media e pavarur të mos mbijetojë më, pa u dorëzuar totalisht.

Dueli i (W)Estern-it 2025

Në vend të tingullit të Morricone-s, dëgjohet heshtja e frikshme e transmetimit të ndërprerë dhe heshtja shurdhuese e medemek elitës intelektuale e gazetareske shqiptare.

Në vend të revolverëve, kemi kamerat që përpiqen të regjistrojnë, kemi protestën bruto të gazetarëve dhe makineritë e pushtetit që përpiqen t’i ndalin. Në këtë duel, Fanja është përballë me të tjerët e ka me vete sinjalin dhe fjalën e lirë e gazetarët e tij. Kambalja ka kamionët, dyfeqet dhe urdhrat.

Liderri, me buzëqeshjen e ftohtë të një njeriu që beson se kontrollon gjithçka fërkon mjekrrën e përdor shtetin si instrument. Por si në çdo ëestern të madh, fitorja nuk i takon atij që ka më shumë armë.

Fitorja i takon atij që nuk e tradhton misionin e vet. (W)Estern 2025 është historia e një Shqipërie ku pluhuri i duelëve nuk është prej shkretëtire, por prej mosbesimi, ku armët nuk janë revolverë, por urdhra administrative,

ku thesari nuk është ar, por e drejta për të thënë të vërtetën. Dhe kjo betejë nuk është aspak film. Kemi betejë  reale, zhvillohet live dhe po ndodh tani.

Spektatorët duhet të futen në skenë, përndryshe I Shëmtuari dhe i Keqi do vendosin flamurin e sundimit dhe më pas do jetë shumë vonë e fjala e lirë do ketë vdekur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme