Situata në Gramsh ka marrë përmasa kritike, ndërsa zjarret po përhapen me shpejtësi në disa fshatra të njësive administrative, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe lëndime tek banorët.
Në fshatin Skënderbegas, një nga zonat më të goditura, autoritetet kanë urdhëruar evakuim të plotë, pasi flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave.
Megjithatë, disa banorë refuzojnë të largohen, të vendosur të mbrojnë shtëpitë dhe pronat e tyre.
“Nuk ikim, këtu kemi jetën tonë,” – shprehen ata mes lotëve, teksa përpiqen të shpëtojnë ç’të munden nga zjarri.
Forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur të depërtojnë në disa zona për shkak të tymit të dendur dhe përmasave të mëdha të flakëve. Ndërhyrja nga toka është e kufizuar, ndërsa autoritetet po kërkojnë mbështetje të shtuar nga ajri.
Forcat e Armatosura dhe Mbrojtja Civile janë angazhuar me kapacitete të plota, ndërsa gjendja paraqitet kritike edhe në fshatrat përreth. Çdo minutë konsiderohet vendimtare për të shpëtuar jetë, banesa dhe tokë bujqësore.
Ndërkohë, thirrjet për ndihmë nga banorët në rrjete sociale dhe komunikimet me autoritetet po shtohen nga ora në orë.



