Publicisti Xhafer Shatri në përvjetorin e 23-të të vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqi kishte shkruar një shkrim me titullin “Homazh për Ahmet Krasniqin”.
Por, sot përmes një postimi në Facebook, Shatri tha se është detyruar që ta fshijë këtë shkrim për shkak komenteve.
E sipas tij, përgjegjësinë historike për vrasjen e Ahmet Krasniqit e mban i ashtuquajturi “Shtab i Rognerit“ dhe strukturat e kriminalizuara të shtetit shqiptar.
“NJE SQARIM I DOMOSDOSHËM. Shkrimi im paraprak “Homazh për Ahmet Krasniqin“ ka ngjallur një interesim të madh të lexuesve. Kjo është shpërfaqur sidomos përmes komenteve gjithfarëshe. Disa prej tyre jam detyruar t’i fshij. Për të qenë i saktë, përgjegjësinë historike për vrasjen e Ahmet Krasniqit e mban i ashtuquajturi “Shtab i Rognerit“ dhe strukturat e kriminalizuara të shtetit shqiptar. Ky grupim e ka organizuar vrasjen dhe e ka paguar vrasësin e Ahmet Krasniqit, kriminelin Feriz Kërnaja, me 250’000 dollarë”, shkroi Shatri sot në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se nuk është mirë t’i përlyhen njerëzit me akuza pa asnjë bazë, qofshin ata eksponentë të subjekteve politike apo individë që luftonin me armë në dorë kundër Serbisë.
“Ato ishin kohë tepër të vështira, në të cilat shumica e shqiptarëve kanë sakrifikuar çdo gjë, ndërsa një grup krejt i vogël kanë abuzuar maksimalisht me luftën dhe me sakrificat sublime të popullit të Kosovës. Çdonjëri prej nesh duhet ta themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. E sidomos nuk duhet të lejojmë që raste të tilla drastike të përdoren për të përlyer njerëz që nuk kishin as hak as hile”, përfundoi ai.