Xhamia e Namazgjahut në Prizren është njëra ndër katër xhamitë e këtij lloji në Ballkan dhe objekti i parë monumental i kulturës Islame në qytetin e Prizrenit.
Edhe pse kjo xhami i sjell Prizrenit me mijëra euro nga turistët nga mbarë bota ky objekt nuk po mirëmbahet.
Parku i Xhamisë së Namazgjahut është i shkatërruar, mbeturinat kanë kapluar hapësirën, ulëset, shportat dhe trafot e ndriçimit janë të dëmtuara në masë të madhe.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Jusuf Xhibo tha për KALLXO.com se mirëmbajtja e parkut në afërsi të Xhamisë së Namazgjahut i takon Komunës së Prizrenit dhe se për rregullimin e parkut disa herë është zotuar Drejtoria e Turizmit por, asnjëherë nuk ka vepruar.
“Namazxhahu i Prizrenit”është monument arkitektonik ashtu që punët dhe mirëmbajtjen e monumenteve e ka Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Prizren (QRTK – Pz). Meqë Namazxhahu ndodhet brenda një parku (proporcioni monument – park është afërsisht 10:1 në favor të parkut) dhe mirëmbajtjen e parqeve e bën ndërmarjet e pastrimit (besoj të kontraktuara nga Komuna) atëherë mbajtja e pastërtisë i takon atyre, derisa rojtari kujdeset për monumentin që të mos dëmtohet nga keqbërësit e ndryshëm. Rojtarët që kujdesen për monumentin disa herë kanë raportuar si inspekcionit komunal ashtu edhe policisë për persona që dëmtojnë parkun ose inventarin e parkut por rezultatet ishin të përkohshme pasi problemet vazhonin edhe më pas. Veç kësaj për problematikë e namzxhahut (ndriçimin, ulset, shportat,etj) kemi diskutuar disa herë edhe me Drejtorinë e Turizmit e cila u zotua se kanë një buxhet dhe se do të rregullojnë, por deri më sot nuk pati asnjë lëvizje konkrete”, tha Xhibo.
Krenare Koqi, shefe e kabinetit në Komunën e Prizrenit tha se janë në fazën e shqyrtimit të tenderëve për operatorët ekonomik që do të merren me mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbra në Prizren.
“Mirëmbajtja e xhamisë së Namazgjahut e kemi pasur në linjë buxhetore sivjet dhe për shkak të buxhetit kemi bërë vetëm ndriçimin e objektit, kurse sa i përket menaxhimit të mbeturinave në parkun e xhamisë dhe dëmtimeve eventuale ato i kemi evidente edhe nëpër parqet e tjera dhe kjo ka qenë si pasojë e mungesës së një kontarte në kornizë për mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbra. Ne jemi në fazën e shqyrtimit të tenderëve të aplikuesve të operatorëve ekonomik për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, mirëmbajtjen e parqeve, vendosjen e ulëseve, vendosjen e koshave të mbeturinave dhe nëse gjithçka shkon mirë, nëse nuk do të kemi ndonjë problem me OSHP do të fillojnë punimet gjatë tetorit dhe do të fillojmë me vendosjen e mobilerive urbane në gjithë qytetin e Prizrenit duke filluar nga Qendra Historike” tha Koqi për KALLXO.com.
Gjithashtu edhe organizata jo qeveritare ‘Ec Ma Ndryshe’ ka reaguar për gjendjen jo të mirë të monumenteve historike në qytetin e Prizrenit.
Enes Toska nga Ec Ma Ndryshe tha se për mirëmbjatjen e monumenteve kulturore e historike në Prizren mungon një stategji gjithpërfshirëse dhe vetëdijesim i qytetarëve përmes kampanjave për mos degradimin e qytetit.
“Kjo është një nga pasojat e mungesës së një strategjie gjithpërfshirëse për zhvillim të bazuar në turizëm kulturor të qytetit të Prizrenit. Monumentet varësisht nga pronësia duhet të mirëmbahen nga titullarët e tyre. Në komunë të Prizrenit kemi monumente në pronësi të nivelit qendror (Ministria e Kulturës) por edhe asete në pronësi të komunës. Edhe pse një monument mund të jetë në pronësi të institucioneve vartëse nga niveli qendror kjo nuk e arsyeton as Komunën e Prizrenit apo edhe vet qytetarët që mund të jenë degradues të ambientit të një monumenti. Në këtë drejtim mungojnë kampanjat e vetëdijësimit për mirëmbajtje të monumenteve, ambient të pastër dhe zbatim të ligjit përfshi këtu edhe gjobitjen e ndotësve” tha Toska për KALLXO.com.
Po ashtu Toska për KALLXO.com tha se këtë vit do të themelohet Zyra e Qendrës historike të Prizrenit.
“Këtë vit pritet të themelohet edhe Zyra e Qendrës historike të Prizrenit, një obligim ligjor që nga viti 2012 por që nuk është zbatuar deri më sot. Kjo zyre do të ketë rolin e njësisë menaxhuese të Qendrës Historike të Prizrenit” tregoi Toska.
Namazxhahu i cili gjendet në anën veri-perëndimorë të Prizrenit, u ndërtua nga Fatih Sulltan Mehmeti në vitin 1455, i cili shërbeu për kryerjen e ritualeve fetare të ushtrisë Osmane.
Mjeshtri dhe mbikëqyrësi kryesor ishte Ahmed Çaushi. Pas vendosjes së plotë të administrimit Osman në Prizren Namazxhahu u la pas dore pasi që në atë kohë kishin filluar të ndërtoheshin xhamitë e zakonshme. Më vonë, pasi që lokacioni i Namazxhahut ishte në periferi të Prizrenit të atëhershëm, atë e shfrytëzonin për falje bujqit që punonin tokat e tyre. Në vitet ‘50-ta të shekullit të XX-të pranë Namazxhahut u ndërtua një depo e madhe me ç’rast u shfrytëzua edhe një pjesë e materialit guror të Namazxhahut.
Sikurse gjatë ndërtimit të depos ashtu edhe gjatë ndërtimit të Ambulancës që është ndërtuar gjatë viteve ’80-ta të shekullit XX-të, janë shkatërruar varrezat e vjetra që ishin përreth Namazxhahut ashtu që tani aty kanë mbetur vetëm dy-tri sosh që tani janë shndërruar në tyrbe. Në vitin 2000 Instituti për Mbrojtje të Monumenteve të Prizrenit duke vlerësuar rëndësinë e këtij objekti ka hartuar projektin ideor për restaurimin e Namazxhahut, i cili u financua nga Qeveria e Turqisë. Me përkrahje edhe të Komunës së Prizrenit, u hartua dhe u implementua projekti i restaurimit të Namazxhanut dhe parkut rreth tij. Namazxhahu është ndërtuar me planimetri drejtkëndëshe nga gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror.
Nëpërmjet tri shkallëve ngjitet në platenë ku gjendet një mur me lartësi rreth 1 metër, ku është paraqitur nisha që e shënjon mihrabin. Në këndin e djathtë të murit gjendet minarja me bazë katrore dhe trung gjashtë këndor, të punuar nga gur të gdhendur. Namazxhahu në popull njihet edhe si Kërëk Xhamia, që domethënë Xhami e Thyer. Së bashku me ambientin përreth, Namazxhahu paraqet një monument me rëndësi historike dhe pikë karakteristike për vizitorët e shumtë në Prizren.