Për aferën e qeverisjes së Prishtinës lidhur me punët që komuna e Shpend Ahmetit ua ka dhënë njerëzve të vet, Jusuf Ulajt dhe Afrim Blytes, ka reaguar edhe anëtarja e re e PDK-së, Arbana Xharra.
Përmes një postimi në llogarinë e saj, Xharra ka ironizuar me pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për qeverisje me duar të pastra.
“Sa jemi te qeverisja me duar të “pastërta” të Prishtinës…!
Këta të Vetëvendosjes po merakosen për gjithçka. Edhe për shëndetin e qytetarëve. Edhe për shëndetin e rrugëve dhe kubëzat e Prishtinës. Edhe për tenderët e qeverisjes së korruptuar të Shpend Ahmetit. Edhe për financimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Të shumanshëm për t’i futur duart kudo. Profiterët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, tani po ia bëjnë fushatën edhe Kurtit për t’i zgjeruar rrugët e tyre korruptive”, ka shkruar Xharra.
Ndryshe, mjekët e Lëvizjes Vetëvendosjes, që me betonprodukte po i shtrojnë rrugët e Prishtinës, Afrim Blyta dhe Jusuf Ulaj, ky i fundit edhe kryesues i Komitetit për Shëndetësi dhe kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, sot ia kanë organizuar një takim me mjekë të nominuarit të tyre për kryeministër, Albin Kurtit.
Me kompaninë e tyre R.U.B, mjekët Ulaj dhe Blyta i furnizojnë me betonprodukte shumicën e kompanive që marrin punë për rregullimin e rrugëve të Prishtinës.
Bashkëpronar me mjekët e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Blyta dhe Jusuf Ulaj, është edhe pronari i kompanisë “Rexha”, Samir Rexha, i cili gjithashtu është mik i Ulajt dhe njëri prej përfituesve më të mëdhenj nga tenderët e Komunës së Prishtinës.
Kjo kompani e ka marrë tenderin edhe për rregullimin e Platosë mbi Kurriz, në vlerë prej rreth 1 milion euro.
Në faqen zyrtare të kompanisë RUB: http://rub-ks.com/projektet/, figurojnë disa prej projekteve të cilat janë furnizuar prej kompanisë së kandidatit për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Ulaj, i cili kryeson edhe Komitetin për Shëndetësi.
Në uebin e kompanisë RUB, konfirmohet se edhe bulevardi mbi kurriz, punimet të cilat është duke i bërë kompania “Rexha”, është duke u shtruar me produktet e kompanisë së tyre.
Me produktet e kompanisë së kandidatit për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje është shtruar edhe sheshi Luan Haradinaj në Prishtinë, edhe bulevardi Perandori Justinian te katedralja.