Pas gjithë këtyre dëmeve, rreziqeve, kërcënimeve, trenave, mureve, ndarjes e krimit, për Thaçin, Mustafën e Veselin prapë dialogu me Serbinë qenka zgjidhja. Dialog pa kurrfarë kushti, nënshtrues e poshtërues për Kosovën. Që drejtohet nga të nënshtruarit, të shantazhuarit e të poshtëruarit.
Në asnjë mënyrë nuk bën që tash të vazhdojë dialogu. Kjo përveç se e ndihmon Serbinë dhe e cenon Republikën, është edhe shpërblim për të gjitha ndërhyrjet e reja që Serbia i ka bërë në Kosovë prej murit te treni, prej Brezovicës te Trepça, prej Listës serbe te UNESCO.
Nuk ka alternativë përveç fuqizimit të Republikës e bashkërendimit kombëtar. Këto nuk bëhen bashkë me Nikoliqin e Vuçiqin, por në përballje kundër politikave të Serbisë në përgjithësi.
Mustafa e Thaçi nuk kanë mandat për këtë dialog. Nuk mund të shkojnë në Bruksel pa folur fare për këtë gjë në Prishtinë. Ne kërkojmë seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje. Kjo seancë duhet të mbahet që sonte dhe grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! po angazhohet për mbledhjen e nënshkrimeve për organizimin e saj.