Almakos: Koment
Ka diçka që në këto zgjedhje vendore shkon edhe përtej asaj se cila parti dhe cili kandidat i saj do i fitojë ato: kriminalizimi i qëllimshëm i shoqërisë shqiptare në Maqedoni, e të cilin janë duke e bërë LSDM’ja dhe BDI’ja. Apo thënë edhe më qartë: në këto zgjedhje vendore, shihet më ashiqare tendenca tinëzare e LSDM’së dhe BDI’së që shqiptarëve të këtushëm tu bëhet përbuzja më madhe që mund t’i bëhet një populli – ai të lihet në duart e banditëve partiak dhe atë ta përfaqësojnë edhe ata me koeficientin e intelegjencisë nën atë të hajdutëve të pulave të fshatit. Gjë që shumë lehtë mundë të shihet edhe nëpërmjet ‘muskujve’ të disa mbështetësve më të zjarrtë dhe mbrojtësve më besnik të konceptit ‘qytetarë’ të Zaevit si dhe nëpërmjet ‘kokëtulëve’ më të përkulur të Ali Ahmetit, i cili na morri zvarrë dhe nga Reçica e Vogël, njëherë na çoi e na la peng te selia e VMRO-DPMNE’së, e tani, si të ishim turmë e pavlerë, na dorëzoi te LSDM’ja.
Por duhet pranuar se jo tani, po ka dekada, që thuajse institucionalisht stimulohet dhe përkrahet akulturimi dhe kriminalizimi i shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Edhe atë veçanërisht nga viti 2002 e këtej, nga viti kur në pushtet erdhi edhe pjesa më injorantët e BDI’së, të cilët jo vetëm që nuk bënë gjë për shqiptarët, por i shkatërruan edhe ato vlera që i kishin shqiptarët e këtushme. Njësoj siç duhet pranuar se për gjithçka janë fajtorë edhe ata ‘mendjendriturit e pavarur’, e që vonë e kuptuan dhe vonë e pranuan përpara popullit se, duke e mbështetur BDI’në, ata ishin duke e përkrahur fatkeqësinë tonë kolektive, si dhe duke i ndihmuar të bëhen të pushtetshëm ata që kishin lexuar vetëm abetaren dhe ndonjë fjalim të Enver Hoxhës, e çuan popullin në duart e atyre që pushtetin e konsideronin si çdo plaçkë tjetër, që përjetësisht i takon atij që njëherë atë e ka grabitur.
Po pra, ka diçka që bie në sy në këto zgjedhje vendore: Zaevi, i ndihmuar nga i pëlqyeri nga të gjitha partitë maqedonase, Ali Ahmeti vazhdon që shqiptarëve t’ua shes rrugaçërinë politike si vlerë më të lartë dhe të vetmen demokratike që e meritojnë ata. Si dhe vazhdon hapur t’ua dëshmojë shqiptarëve atë që ata do duhej ta kishin kuptuar qysh gjatë sundimit të regjimit DPMNE-BDI: se qarqet politike e policore maqedonase – të ndihmuara nga shërbëtorët e tyre shqiptarë, si këta nga radhët e BDI’së – janë ato që shqiptarëve të Maqedonisë ua përcaktojnë përfaqësuesit e tyre politik si dhe heronjtë dhe tradhtarët. Dhe mes heronjve rëndom dominojnë banditët që për një fije pushtet, janë të gatshëm të shkelin edhe mbi kufomën e shqiptarisë.
/Almakos