Grupi parlamentar i BDI-së i ka propozuar Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime që në vend të anëtarit nga radhët e Lëvizjes BESA, Fadil Zendelit, të zgjedh deputetin e BDI-së, Ejup Alimin. Sipas Alimit, kërkesa ka për qëllim që të zhbllokojë punën e këtij komisioni, pasi, siç tha, nëse VMRO publikisht i bojkoton punimet në Kuvend, Lëvizja BESA këtë e bën në heshtje.
Mirëpo, deputeti i BESËS Fadil Zendeli tha se me këtë propozim pretendohet eliminimi i opozitës shqiptare nga ky komision.
“Përmes një truku të kësaj natyre të bëjnë ndryshimin e shumicës në Komisionin për zgjedhje dhe emërime, dhe duke e keqpërdorur vullnetin e mirë që unë si deputet i Lëvizjes Besa apo si përfaqësues i opozitës tregova që të mbahet një mbledhje e natyrës vetëm teknikisht të plotësohen vendet vakante në komisionet dhe në delegacionet e ndryshme”, tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, njofton TVM2.
Ndërkaq, kryesuesi me Komisionin, Hari Llokvenec, nga radhët e LSDM-së, tha se propozimi për një ndryshim të tillë ka qenë i papritur dhe se grupi parlamentar i partisë që përfaqëson ende nuk ka qëndrim.
“Bëhet fjalë për propozim që e morëm në seancë, të cilin nuk mund ta komentoj, pasi ne si grup parlamentar, dhe unë jam anëtar i grupit parlamentar të koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja. Ne nuk kemi marrë qëndrim”, u shpreh Hari Llokvenec nga LSDM.