“Ky proces ende nuk ka përfunduar dhe epilogun do ta ketë në gjykatë”, kishte paralajmëruar Zana Hoxha në ditën e pestë të këtij muaji, kur u bë e ditur se Kushtrim Mehmeti është zgjedhur udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Tashmë Hoxha – e cila kishte kandiduar për këtë pozitë, ka bërë kërkesëpadi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. I akuzon Ministrinë e Kulturës dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës për disa shkelje ligjore, përfshirë favorizimin e Mehmetit
Vitin e kaluar ishte hapur konkursi i pestë për të plotësuar pozitën që kishte mbetur bosh për më shumë se tre vjet. Më 26 tetor ishte mbajtur testi me shkrim. Regjisori Besim Ugzmajli ishte tërhequr nga gara paraprakisht. Në garë kishin mbetur regjisorët Sokol Plakolli, Donjeta Hyseni, Kushtrim Mehmeti e Zana Hoxha, bashkë me aktoren Arta Muçaj. Telashet kishin filluar menjëherë pas testimit. Sipas procesverbalit të asaj dite, anëtarja e Këshillit Drejtues të TKK-së, Gresa Pallaska, kishte shprehur dyshimet për parregullsi. Ishte bazuar në faktin se përgjigjet e kandidatit Kushtrim Mehmeti ishin të ngjashme me çelësin e testit dhe për këtë arsye Pallaska ishte tërhequr nga vlerësimi i testit me shkrim. Pas kësaj në MKRS ishin ankuar Sokol Plakolli dhe Zana Hoxha. Komisioni për shqyrtimin e ankesave kishte ardhur në përfundim se testi me shkrim duhej përsëritur. Ankesat e Hoxhës dhe të Plakollit ishin miratuar pjesërisht. Si bazë për këtë miratim ishte marrë procesverbali i vlerësimit të testeve.
Sipas kërkesëpadisë, Hoxha ishte ankuar në Ministrinë e Kulturës se në testin me shkrim ishte vlerësuar vetëm me 33.29 pikë nga gjithsej 100 pikë. Sipas saj, disa përgjigje të sakta ishin vlerësuar negativisht.
“Nga testi me shkrim, pyetjet e parashtruara dhe përgjigjet e paditëses, vërehet qartazi se vlerësimi i Komisionit ka qenë i pasaktë, tendencioz dhe me qëllim të dëmtimit të parashtrueses së ankesës”, shkruhet në kërkesëpadi. Akuzohet Këshilli Drejtues se ka bërë vlerësim subjektiv me qëllim të dëmtimit të Hoxhës. Sipas kërkesëpaditë, edhe Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka bërë shkelje kur ka vendosur për ankesën. Shkruhet se janë dy shkelje: mosshqyrtimi i pretendimeve të ankueses dhe kthimi në testim i kandidatëve. Sa i përket faktit se në bazë të procesverbalit një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues e ka lëshuar mbledhjen me aludimet se një kandidat i kishte përgjigjet e ngjashme me çelësin e testit, në kërkesëpadi shkruhet se ky këshill “ka humbur integritetin e tij në vlerësimin e procesit të zgjedhjes së udhëheqësit artistik”.
Hoxha nëpërmjet kërkesëpadisë ka kërkuar që të anulohet vendimi i Këshillit Drejtues dhe i Ministrisë së Kulturës nëpërmjet të cilit Kushtrim Mehmeti është zgjedhur udhëheqës artistik. Po ashtu, ka kërkuar që të anulohet krejt konkursi dhe të shpallet konkurs i ri publik.
Përtej kësaj Zana Hoxha, e cila udhëheq organizatën “Artpolis”, ka kërkuar që derisa Gjykata ta shqyrtojë këtë lëndë, duke pasur parasysh krejt shkeljet e pretenduara, të bëhet caktimi i masës së përkohshme të sigurimit, që i bie të pezullohet procesi derisa Gjykata t’i japë epilog.
Kryetarja e Këshillit Drejtues të TKK-së, Visare Aliu, nuk e ka komentuar situatën sa i përket kërkesëpadisë.
“Nuk kemi informatë zyrtare lidhur me këtë. Po ashtu, këto janë çështje me të cilat merren organet kompetente, andaj edhe nuk parapëlqej të bëj komente mbi to”, ka thënë ajo.
Regjisorja Zana Hoxha qysh në fillim të janarit kishte paralajmëruar se krejt procesin do ta dërgojë në gjykatë. Njëjtë kishte deklaruar publikisht edhe regjisori Sokol Plakolli.
Asokohe Kushtrim Mehmeti, i cili është zgjedhur në pozitën e udhëheqësit artistik, kishte thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet që kontestojnë procesin.
“I bëj thirrje personit në fjalë t’u drejtohet organeve gjegjëse lidhur me ato pretendime denigruese dhe tërësisht të pabaza. Përndryshe, testin e parë e kam kaluar me 67.51 pikë, për shkak të pretendimeve për manipulim tërhiqet personi në fjalë dhe pas vendimit të Komisionit është kthyer në ritestim gjithë testi, në të cilin nuk kishte pretendime për manipulim, personi në fjalë mori pjesë dhe unë mora 67.74 pikë. Vetë rezultati i ngjashëm tregon që nuk ka asgjë të vërtetë në ato pretendime”, kishte thënë ai.
Historia e mbetjes së institucionit pa udhëheqës artistik nis qysh në qershor të vitit 2019, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë. Asokohe nëpërmjet një konkursi në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha. Nuk e kishte pranuar detyrën për disa muaj e më pas kishte njoftuar se nuk do ta pranonte fare.
Në konkursin e hapur në nëntor të vitit 2021, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e kishte diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotësonte kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune pas diplomimit. Konkursi qe anuluar.
Më pas, në konkursin e shkurtit të vitit të kaluar, Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj ishin në konkurrencë për udhëheqës artistik të TKK-së. Sipas verifikimit që ka bërë MKRS-ja, Venhari-Dragaj nuk i plotësonte kushtet për ta vazhduar procesin, pasi nuk kishte dëshmuar se u përgjigjej krejt kritereve të konkursit.
Në fund të procesit vetëm regjisori Erson Zymberi ishte kualifikuar për të shkuar në intervistë. Paraprakisht për një mandat kishte shërbyer si drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit. Por në ditën e intervistës, më 23 prill të atij viti, Zymberi nuk kishte shkuar. Me arsyetimin se është tërhequr “për arsye personale”, ai kishte hequr dorë nga gara për pozitën e udhëheqësit artistik të TKK-së. Është rizgjedhur drejtor i Teatrit të Gjilanit.
Atë proces e kishte nxjerrë me telashe edhe MKRS-ja. Sokol Plakolli kishte bërë ankesë se nuk i janë vlerësuar drejt përgjigjet që kishte dhënë në testin me shkrim. Komisioni i Ankesave në MKKS kishte vlerësuar se Plakolli në disa raste kishte të drejtë. Prej atëherë Plakolli në baza ditore qëndron para Qeverisë në një lloj proteste kundër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e Këshillit Drejtues të TKK-së. Zëshëm kërkon nga kryeministri Albin Kurti që ta marrë situatën në dorë.
Udhëheqësi artistik propozon politikat artistike të TKK-së, bën propozimin e repertorit, udhëheq punën kreative të ansamblit rezident, bën recension për veprat skenike, është përgjegjës për realizimin e repertorit e përcakton regjisorët.
TKK-ja kishte qëndruar dy vjet pa drejtor të përgjithshëm e ishte përcjellë me një sagë konkursesh deri në shkurt të vitit të kaluar, kur aktori Kushtrim Sheremeti u zgjodh në këtë pozitë. Por TKK-ja nuk është i vetmi institucion qendror i kulturës me telashe sa u përket drejtuesve.
Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësuese e drejtorit të GKK-së është Alisa Gojani.
Në dhjetor të vitit 2021, Arben Zharku qe shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës pas një procesi të gjatë me pezullime e kthime. Konkursi për këtë pozitë është hapur të mërkurën e kësaj jave.
© KOHA.