Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas të dhënave të postuara në faqen zyrtare, ka procesuar 100 për qind të vendvotimeve. Në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, atyre më postë dhe personave me nevoja të veçanta.
Në disa nga 19 komunat ku është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave në Kosovë, përfshirë këtu qendrat e mëdha si Prishtinën dhe Prizreni, përqindja e kandidatëve është e ngushtë.
Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,19, ndërkaq kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,82. Kandidati i Vetëvendosjes në Prizren, Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind ndërkaq kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka njoftuar për numrin e përgjithshëm të votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. Por, KQZ përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore.
Sipas KQZ-së, pas përfundimit të të gjitha procedurave, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një raport të detajuar lidhur me numrin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta; dhe votave përmes postës.
“Në QNR është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së Rezultateve Përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe nga rivotimi për Kryetar të Komunës së Parteshit”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim të transparencës do të njoftojë me kohë mediat dhe vëzhguesit për fillimin e numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës – në mënyrë që të mund ta përcjellin nga afër këtë proces”, thuhet në njoftimin për media të KQZ-së.
Ndërkohë analistë të çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se në këto zgjedhje qytetarët dëshmuan se kërkojnë ndryshime dhe qeverisje më të mirë.
Analisti i çështjeve politike Artan Muhaxheri thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë proces zgjedhor u dëshmua që elektorati në Kosovë është më i avancuar sesa partitë politike.
“Tani të kemi disa faktorë që janë të rëndësishëm në nivelin lokal për dallim nga herët e kaluar ku kryesisht kanë qenë dy parti të e mëdha që kanë qenë dominante”.
“Në mënyrë të qartë elektorati ndëshkojë kandidatët dhe iu dha një mesazh partive politike që në të ardhmen duhet të kenë kujdes sa iu përket kandidatëve, fushatave zgjedhore si dhe premtimeve të cilat duhet të jenë më të përafruar me nevojat e qytetarëve dhe jo me vendimmarrje e grupeve të ngushta brenda strukturave partiake”, thotë Muhaxhiri.
Analisti i çështjeve politike Imer Mushkolaj, në një prononcim për Radion Evropë e Lirë vlerëson se zgjedhjet lokale të këtij viti sjellën rikonfigurim të skenën politike të Kosovës dhe po ashtu një qasje të re të votuesve ndaj përgjegjësisë që kanë për votën që e hedhin në kutin e votimit.
“Tani nuk mund të flasim për fuqi politike të partive të caktuar, ashtu siç pretendonin se i kishin, kam parasysh këtu Partinë Demokratike të Kosovës e cila ka humbur më së shumti në këto zgjedhje, por njëkohësisht nuk mund të flasim as për një situatë që qytetarët doemos duhet të votojnë për një parti të caktuar politike pa e vlerësuar mbase në mënyrë të duhur votën e tyre”, vlerëson.
Rezultati shumë i ngushtë në disa komuna, në veçanti në komunat e mëdha të vendit, shton Mushkolaj tregon për vetëdijen e qytetarëve karshi votës dhe përgjegjësisë që kanë për të ardhmen e tyre në komunat ku ata jetojnë.
Zgjedhjet lokale të këtij vitim sipas Mushkolajt, u treguan të ashpra me partitë politike në kuptimin se nuk iu lanë komoditetin që ato pretendonin se e kishin.
“Në këto zgjedhje më së shumti ka fituar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka arritur të rikthej disa nga komuna e rëndësishme që i ka humbur në vitin 2013. Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës arriti të ruajë një konsolidim të ruaj një siguri të pasjes së qeverisjes në komunat në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje pavarësisht se mori numër të vogël të komunave, fitorja në Prizren është e madhe për të dhe humbje e madh për PDK-në”, thotë Mushkolaj.
Ndërkohë, të drejtën për të votuar e shfrytëzuar 517,360 nga 1 milion e 353 mijë e 613 qytetarë me të drejtë vote.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’, është vlerësuar i qetë dhe pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.
Prokurori i Shtetit përmes një komunikatë për media ka bërë të dituar se në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë raportuar 23 raste lidhur me procesin zgjedhor që është zhvilluar sot.
“Pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre nga prokurorët në tërë territorin e Republikës së Kosovës, rezulton se nga 23 raste të raportuara, janë intervistuar 7 persona, 6 prej tyre janë liruar pasi që nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që lidhen me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorit të Shtetit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e ka cilësuar raundin e dytë të zgjedhjeve lokale si demokratike.
“Zgjedhje të zakonshme me parregullsi të vogla janë shenjë e mirë për demokracinë në rritje të Kosovës. Mirëpresim bashkëpunimin me zyrtarët e zgjedhur, me qëllim që të bëjmë progres në Kosovë”, ka shkruar në Tëitter ambasadori Delawie.
Po ashtu, krerët e institucioneve të Kosovës kanë përgëzuar qytetarët për një proces të qetë dhe demokratik.
Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 12 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.