Gazetare: Fatlume Dervishi
Ambasadorët e huaj janë të zhgënjyer nga qëndrimet e BDI-së rreth Gjykatës Kushtetuese, vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, zhgënjimi i është përcjell ministrit të Jashtëm. Reagimi i Mickoskit vjen dy ditë pasi nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani deklaroi se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të guxojë të prekë ligje të miratuara me bandenter dhe se për Marrëveshjen e Ohrit, Badenterin, Balancuesit dhe për shqipen, duhet të ulen dhe të bisedohet.
“Një pjesë e tyre kanë thënë se edhe personalisht kanë biseduar me përfaqësues të BDI-së dhe se kjo tek ata ka ngjallur shumë emocione negative dhe zhgënjim të madh sepse një nga postulatet thelbësore të demokracisë është mospërzierja në sistemin e drejtësisë. Ky nuk mund të jetë kusht dhe s’mund të jetë mënyrë se si bëhet politika”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski ishte i ashpër me Osmanin. Thotë se ai nuk ka kredibilitet për të mbrojtur gjuhën shqipe.
“Personi që negocioi dhe e shiti indetitetin tim maqedonas ka më pak kredibilitet të flasë sepse nëse ai nuk më respekton mua, nuk e respekton as gjuhën e tij amtare”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Osmani në intervistë për TV21 deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje nëse vazhdon degradimi i shqiptarëve dhe se do të krijohej krizë e thellë politike. Me këtë, mbeti e hapur edhe mundësia që kjo parti të bojkotoi zgjedhjet lokale në rast se nuk ka edhe zgjedhje parlamentare. Mickoski thotë se drejtuesit e partisë së Ahmetit janë në panik.
“Secili ka të drejtë të zgjedhë mënyrën se si do të funksionojë politikisht. Ajo është zgjedhja e tyre. Shteti ka institucione dhe ka qeveri. BDI-ja funksionoi 20 vjet dhe i shkeli të gjitha parimet, ishte shembull për standard të dyfishta. Në vitet e fundit të qeverisjes ishte shembull për dyshime të bazuara për krim dhe korrupsion dhe mendoj se atje ka një panik dhe një frikë që shihet te komentet e drejtuesve të kësaj partie, kurse për çfarë bëhet fjalë, do të dëshmojë edhe publiku shumë shpejt”, tha tutje Hristijan Mickoski, kryeministër.
Osmani nuk tregoi se çfarë dëshmish posedon për të argumentuar krizën e thellë politike që pretendon se mund të ndodhë. / Alsat.mk